Site icon Telegrafi

Kryeministri japonez, Shinzo Abe uron Kurtin: Japonia i kushton rëndësi marrëdhënieve me Kosovën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një telegram urimi nga kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, i cilin e ka uruar për marrjen e detyrës së kryeministrit.

Në urim thuhet se Japonia i kushton rëndësi marrëdhënieve me Kosovën.

“Dëshiroj që në emër të Qeverisë dhe të popullit të Japonisë t’ua shpreh urimet e mia të përzemërta për emërimin tuaj si Kryeministër. Japonia i kushton rëndësi marrëdhënieve me Kosovën, një komb që shërben si çelës për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Japonia do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet për reformën e Kosovës në kuadër të ‘Iniciativës së Bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor’, të cilën e prezantova në vitin 2018”, thuhet në telegramin e urimit.

Më tej Abe përshëndet dialogun e nivelit të lartë vitin e kaluar me rastin e 10-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Japonisë dhe Kosovës si dhe hapjen e Ambasadës së Japonisë në Kosovë në janar të këtij viti si dëshmi të lidhjeve të forta midis dy vendeve.

“Shpreh vullnetin që të punoj ngushtë me Shkëlqesinë Tuaj për t’i fuqizuar marrëdhëniet dypalëshe në fusha të ndryshme si politika, ekonomia dhe kultura. Jam i lumtur që shkëmbimet mes njerëzve janë rritur në qytetin Sanjo në prefekturën Niigata, qyteti mikpritës që mbështet Kosovën me rastin e Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike Tokio 2020. Shpresoj që marrëdhëniet tona dypalëshe do të zhvillohen më tej në fushën e shkëmbimeve mes njerëzve, me shpresa të mëdha për suksesin e sportistëve nga Kosova në Lojërat Olimpike Ju lutemi pranoni urimet e mia të sinqerta për suksesin e Shkëlqesisë Tuaj dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës”, thuhet në telegramin e urimit të kryeministrit japonez, Shinzo Abe. /Telegrafi/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Exit mobile version