Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pranuar një telegram urimi nga kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte.
Në telegramin e urimi, Conte ka thënë se Kosova dhe Italia do të vazhdojnë të bashkëpunojnë, transmeton Telegrafi.
“Me rastin e zgjedhjes Suaj për ta drejtuar Qeverinë e Kosovës, dëshiroj që në emrin tim dhe të Qeverisë italiane t’jua përcjell urimet më të sinqerta për detyrën Tuaj prestigjioze. Jam i sigurt se bashkëpunimi i shkëlqyer ndërmjet shteteve tona do të mund të vazhdojë me ritëm të ri dhe të intensifikohet edhe më tej.Ne e mbështesim me bindje perspektivën euroatlantike të Kosovës, e cila kërkon përparim thelbësor në forcimin institucional dhe sundimin e ligjit, duke vazhduar me vendosmëri në rrugën e reformës”, thuhet në telegramin e kryeministrit italian drejtuar kryeministrit Hoti.
Gjithashtu, Conte ka përmendur edhe rifillimin e dialogut Kosovë-Beograd.
“Me po aq bindje shpresojmë për rifillimin e shpejtë të dialogut me Beogradin të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Duke ju uruar çdo sukses në përmbushjen e mandatit tuaj dhe në pritje për t’ju njohur personalisht, jua shpreh përshëndetjet e mia më të ngrohta”. /Telegrafi/