Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se është ulur numri i të infektuarëve me COVID-19 dhe i viktimave.
Hoti përmes një shkrimi të tij në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Kosova e ka shumëfishuar numrin e testimeve.
Sipas tij, qytetarët duhet të jenë ende vigjilentë dhe t’i respektojnë me përpikmëri masat për mbrojtje, siç tha ai kërcënimi nga COVID-19 nuk ka kaluar.
“Pas më shumë se 100 ditësh qeverisje, e përshëndes suksesin e vendit tonë, qytetarëve tanë, dhe veçanërisht mjekëve dhe infermierëve të cilët përballen çdo ditë me virusin #COVID19. I falënderoj partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen. Kjo tabelë dhe këto shifra nuk do të dukeshin kështu pa kontributin e secilit prej nesh. Sot e kemi shumëfishuar numrin e testimeve, kemi ulur drastikisht numrin e të infektuarve dhe të viktimave. Ne duhet të vazhdojmë të jemi vigjilentë dhe t’i respektojmë me përpikmëri masat për mbrojtje. Kërcënimi nga COVID-19 nuk ka kaluar”, ka shkruar Hoti në Facebook. /Telegrafi/