Futbollisti i Kosovës, Milot Rashica, është pritur në një takim nga kryeministri i vendit, Avdullah Hoti.
“Kënaqësi e veçantë ta takoj Milot Rashicën, një sportist i përmasave globale dhe shembull që duhet ndjekur nga të gjithë të rinjtë shqiptarë”.
“Milotit dhe kombëtares së Kosovës i uroj shumë fat në ndeshjen e ardhshme me Maqedoninë e Veriut dhe në kualifikime për kampionatin evropian”, ka shkruar Hoti në një postim në rrjetet sociale.
Ditë më parë, anësori i Werder Bremenit është pritur edhe nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, derisa në takim ishin edhe ndihmëstrajneri i Përfaqësueses, Muharrem Sahiti dhe kryetari i Dardanëve, Lulzim Berisha.
24-vjeçari është duke qëndruar në vendlindje për t’i vizituar familjarët dhe miqtë, si edhe ka bërë një festë të veçantë për djalin e tij me bashkëshorten Belkiz Kera. /Telegrafi/