Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se e ka liruar Sylejman Selimin nga detyra e këshilltarit politik.
Në një status në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka shkruar se Selimin e kishte liruar nga posti i këshilltarit politik me kërkesën e tij.
“Kam liruar nga detyra e këshilltarit politik Sylejman Selimin, me kërkesën e tij. Zotin Selimi e falënderova për kontributin e deritashëm në Zyrën time politike”, ka shkruar në Facebook, Haradinaj.
Ndryshe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, pati reaguar pas konfirmimit se ish-komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi, ishte emëruar si këshilltar i kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Kosnett nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, pati shkruar se të dënuarit për krime lufte, nuk kanë vend në Qeverinë e Kosovës.
“Të dënuarit për krime lufte në Kosovë nuk kanë vend në Qeverinë e Kosovës. Udhëheqësit e të gjitha institucioneve duhet të ndalojnë mbështetjen ndaj individëve të tillë. Një mbështetje e tillë vë në dyshim angazhimin e Kosovë në sundimin e ligjit. I kënaqur për të parë reagimet e komuniteteve për këtë temë”, ka shkruar ambasadori amerikan./Telegrafi/