Boris Johnson është gati të kthehet nesër në punë, pas shërimit nga coronavirusi, ku pritet të përballet me probleme të mëdha rreth menaxhimit të situatës me pandemi.
Reuters raporton se kryeministri britanik, që në fillim të muajit qëndroi për një javë në spital, përfshirë tri ditë nën kujdes intensiv, është i gatshëm që të kthehet në punë, që t’i kthehet obligimeve zyrën në Downing Street në Londër, transmeton Telegrafi.
Në mungesë të tij, qeveria është përballur me kritika në rritje lidhur me ankesat e stafit në spitale dhe shtëpitë e kujdesit, se nuk kanë marrë furnizime të mjaftueshme të pajisjeve mbrojtëse dhe mbi nivelet e testimit për coronavirus, që është shumë larg objektivave të parashikuara.
Shenjat e rënies ekonomike janë të dukshme, derisa shoqëria është gjithnjë e më e shqetësuar si pasojë e urdhrave të ashpra për distancim social, ndërsa ka kërkesa të vazhdueshme, për mënyrën se si do të dilet nga bllokimi.
Me 148 mijë të infektuar, Britania e Madhe ndodhet në pozitën e pestë të listës së shteteve, që janë më të goditura nga coronavirusi. /Telegrafi/