Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se ai më përpara “do të vdiste në hendek” sesa që do t’i kërkonte Bashkimit Evropian shtyrjen e datës për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Megjithatë kryeministri britanik nuk ka treguar nëse do të japë dorëheqje në rast se Brexiti shtyhet përtej 31 tetorit.
Ai ka thënë se do të përgatitet për t’u larguar nga BE-ja pa marrëveshje, mirëpo laburistët kanë thënë se ndalimi i një Brexiti pa marrëveshje është prioritet.
Vëllai më i vogël i kryeministrit, Jo Johnson, ka njoftuar më herët gjatë ditës se do të largohet nga pozitat e tij si ministër dhe deputet për shkak të situatës së krijuar për Brexit.
Ministri për Biznes dhe deputeti për pjesën juglindore të Londrës, ka cituar “tensionin e papërballueshëm” në rolin e tij.
Në referendumin e vitit 2016, Jo ka votuar që Britania të qëndrojë në Bashkimin Evropian, derisa vëllai i tij, tash kryeministër britanik për t’u larguar.
Gjatë fjalimit të tij, kryeministri britanik ka përsëritur thirrjen për zgjedhje, të cilat planifikon t’i mbajë më 15 tetor.
Ai ka thënë se kjo “është mënyra e vetme për të lëvizur gjërat për Brexit”.
Ai i ka thënë audiencës se e urren që të merret me Brexit, mirëpo ka akuzuar deputetët, duke thënë se ata kanë dëmtuar rëndë pozicionin e Britanisë kundrejt BE-së, kur kanë votuar një projektligj të laburistëve që bllokon një largim të Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje më 31 tetor.
Miratohet projektligji që bllokon Brexitin pa marrëveshje
Megjithatë, lideri i laburistëve, Jeremy Corbyn ka akuzuar kryeministrin britanik se “nuk ka plan për të arritur marrëveshje të re”.
Parlamenti britanik ka kundërshtuar të mërkurën planin e Johnsonit për të organizuar zgjedhje të parakohshme.
Mirëpo qeveria ka thënë se ai do të tentojë të kërkojë zgjedhje të reja sërish të hënën e javës së ardhshme.
Votimi i ri për zgjedhje të parakohshme pritet të ndodhë pak para se të pezullohet puna e parlamentit nga java e ardhshme deri më 14 tetor.
Partititë opozitare janë duke zhvilluar negociata rreth asaj se si t’i përgjigjen kërkesës së kryeministrit britanik për zgjedhje në muajin tetor.
Lideri i Partisë për Brexit, Nigel Farage ka paralajmëruar kryeministrin Johnson se “ai nuk mund të fitojë zgjedhjet kurdo që mbahen, nëse Partia për Brexit garon kundër tij”.
Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.