Site icon Telegrafi

Kryemadhi: Kur paratë tona të përfundojnë në Serbi, do dalin fjalët e Metës

Monika Kryemadhi, në një deklaratë për mediat, ka theksuar se ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta, ka qenë dhe vazhdon të jetë një politikan serioz dhe patriot.

Ajo shprehu besimin se shumë nga deklaratat e tij do të vërtetohen në të ardhmen.

“Pavarësisht se fjala patriot mund të tingëllojë e vjetruar, jam e bindur se kur të përballemi me problemet e bankave të huaja, sidomos ato të Serbisë, dhe paratë tona të zhduken atje, do të kuptojmë sa të drejta kanë qenë paralajmërimet e Metës,” tha Kryemadhi, gjatë një konference për mediat, sipas raportimeve të A2 CNN.

“Për fat të keq, diagnozat e tij për politikën shqiptare kanë dalë gjithmonë të sakta.”

Ajo e cilësoi Metën si një “gjeni politik” dhe theksoi se ai nuk ka bërë kurrë gabime politike, por gjithmonë është tradhtuar nga bashkëpunëtorët.

“Meta ka një energji dhe fuqi të madhe politike. Ai nuk ka bërë asnjë gabim, por bashkëpunëtorët e tij e kanë tradhtuar, prandaj edhe nervozohet e bëhet agresiv,” theksoi Kryemadhi.

Duke folur për Partinë e Lirisë (PL), Kryemadhi tha se kjo forcë politike do të ristrukturohet dhe riorganizohet, por shtoi se ajo nuk dëshiron të përfshihet drejtpërdrejt në aksionet e partisë, duke preferuar të fokusohet në veprimet e opozitës së bashkuar.

“Edhe pse preferoj të jem më e distancuar, do të marr pjesë në çdo aksion opozitar të opozitës së bashkuar,” përfundoi ajo.

Exit mobile version