Kryetari i bashkisë së qytetit të New Yorkut, Eric Adams, do të paditet në një gjykatë federale sot për t’u përballur me pesë akuza për vepra penale, duke përfshirë ryshfet dhe kërkimin e donacioneve të paligjshme të fushatës.
Një aktakuzë e zbuluar të enjten pretendon se Adams ka kërkuar dhe pranuar fonde të paligjshme të fushatës dhe mbi 100,000 dollarë në përfitime udhëtimesh luksoze nga biznesmenët turq dhe një zyrtar që kërkon të fitojë ndikimin e tij.
64 vjeçari, është një ish-oficer policie, i cili u zgjodh për të udhëhequr qytetin më të populluar amerikan gati tre vjet më parë, me një premtim se do të ishte i ashpër ndaj krimit.
Kryetari i bashkisë ka mohuar çdo keqbërje dhe ka hedhur poshtë thirrjet në rritje për dorëheqjen e tij, transmeton Telegrafi.
Gjykimi i Adams, në të cilin ai do të informohet zyrtarisht për akuzat dhe do t’i kërkohet të pranojë fajësinë, do të bëhet sot përpara gjykatëses Katherine Parker.
“U kërkoj njujorkezëve të presin të dëgjojnë mbrojtjen tonë përpara se të bëjnë ndonjë gjykim”, tha Adams në një konferencë për shtyp të enjten.
“Unë ndjek rregullat, unë ndjek ligjin federal, nuk bëj asgjë që do të marrë pjesë në aktivitete të paligjshme të fushatës”, shtoi ai.
Konferenca për shtyp ndërpritej rregullisht nga banorët e Nju Jorkut, të cilët e quanin Adams një “turp” për qytetin dhe kërkuan “drejtësi”.
Nëse shpallet fajtor, kryebashkiaku mund të përballet me 45 vjet burg. /Telegrafi/