Mbi 100 motoçikleta dhe automjete të tjera për terrene të vështira u rreshtuan dhe u shtypën nga një buldozer, në qytetin e Nju Jorkut.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ato ishin vetëm disa nga 2000 automjetet e paligjshme që u sekuestruan këtë vit nga Departamenti i Policisë së Nju Jorkut.
Një veprim i tillë, siç thuhet më tej, u bë nën një premtim të kryebashkiakut Eric Adams për të zhdukur “telashet” nga qyteti.
Motoçikletat dhe automjetet për terrene të vështira janë projektuar për rrugë të paasfaltuara dhe është e paligjshme t’i ngasësh ato në rrugët e qytetit.
Policia e Nju Jorkut ka thënë se i shkatërron motoçikletat vetëm pasi përpiqet të gjejë pronarët e tyre të ligjshëm.
Komisioneri i policisë Keechant Sewell tha se NYPD vazhdon të sekuestrojë motoçikleta të paligjshme në emër të sigurisë dhe rendit publik. /Telegrafi/