Telegrafi

Kroacia padit serbin për vrasjen e gjyshit të futbollistit të njohur kroat Luka Modric

Zeljko Badza, një polic serb, i cili aktualisht jeton në Australi, u akuzua për vrasjen e shtatë civilëve në 1991, duke përfshirë gjyshin e futbollistit kroat, Luka Modric.

Zyra e prokurorit shtetëror të qarkut në Split tha të enjten se ka ngritur një aktakuzë që akuzon Zeljko Badza, tani 63 vjeç, për krime lufte ku përfshihet vrasja e shtatë civilëve në territorin e pushtuar nga rebelët serbë pranë qytetit të Zarës në vitin 1991.

Viktimat përfshinin gjyshin e kapitenit të ekipit kombëtar kroat të futbollit dhe lojtarit të Real Madrid, Luka Modric.

Gjyshi i Modric, 61-vjeçari Luka Modric, pas të cilit u emërua futbollisti, u vra më 18 dhjetor 1991 pranë fshatit Meki Doci, afër qytetit të Zaton Obrovacki.

Luka Modric me gjyshin e tij

Sipas aktakuzës, Badza shërbeu si komandant i një toge speciale dhe ishte anëtar i një njësie paraushtarake serbe në qytetin e Obrovac.

Badza dhe anëtarë të paidentifikuar të njësisë u ndeshën me Luka Modricin, i cili po kulloste dhitë pranë shtëpisë së tij, ku qëlluan dhe u vra pa ndonjë arsye.

Më pas, ata vazhduan me makinë në fshatin Meki Doci, duke hapur zjarr mbi civilët që hasën gjatë rrugës duke shkaktuar vdekjen e gjashtë personave të tjerë të moshës 60 vjeç e lart.

Luka Modric para shtëpisë ku është rritur

Badza u largua drejt Australisë dhjetë vjet më parë.

Futbollisti Modric ende nuk ka komentuar mbi aktakuzën. Megjithatë ai ka folur në të kaluarën se si vdekja e gjyshit e ka ndikuar fuqishëm tek ai kur ishte i ri.

Lexo po ashtu Fituesi i 'Topit të Artë', Luka Modric kishte një fëmijëri brutale – Ishte refugjat, gjyshin ia kishin qëlluar për vdekje në luftë dhe u refuzua disa herë nga disa klube kroate

“Isha shumë i lidhur emocionalisht me gjyshin tim. Unë u emërova sipas tij. Nuk është e lehtë kur i ndodh një gjë e tillë një të riu dhe nuk mund ta kuptosh pse”, kishte thënë Modric.

Luka Modric, yll i futbollit

Vrasjet e Modric dhe viktimave të tjera ndodhën pasi Ushtria Popullore Jugosllave, e ndihmuar nga luftëtarët lokalë serbë dhe e mbështetur nga regjimi i Slobodan Milosevicit në Beograd, kishte pushtuar një të tretën e territorit kroat në vitin 1991.

Dëshmia vendimtare në këtë rast vjen nga nipi i gjyshit të Modric, i cili ndodhej i fshehur aty pranë në atë kohë.

Lexo po ashtu Sauditët kanë filluar të sulmojnë sërish: Këta janë nëntë yjet që mund të transferohen në Azi në janar

Pasi gjyshi Modric i solli nipit ushqim u kthye në një vend tjetër rreth 200 metra larg, ku nipi pa një Land Rover dhe një automjet policie që vinin nga Obrovac, sipas aktakuzës.

Zeljko Badza, i akuzuar për vrasjen e shtatë civilëve kroatë

Ai tha se dëgjoi të bërtitura dhe më pas të shtëna armësh. Më pas automjetet u larguan.

Atë mbrëmje, nëna e tij i solli darkën dhe i tha se Luka Modric ishte gjetur i vrarë me plagë në kokë nga arma e zjarrit, thuhej në aktakuzë. /Telegrafi/