Site icon Telegrafi

Kroacia i ofron Ukrainës modelin e saj për riintegrimin e zonave të pushtuara nga Rusia

Kroacia ka ofruar mbështetjen e plotë ndaj Ukrainës për riintegrimin e zonave të pushtuara nga Rusia përmes të njëjtit model se si vendi e ka zgjidhur këtë çështje në të kaluarën në ish-Jugosllavi.

Këtë deklaratë e ka dhënë kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq gjatë samitit ndërkombëtarë “Platforma për Krimenë”, ku morën pjesë liderë nga shumë shtete perëndimore dhe organizata ndërkombëtare.

Plenkoviq duke kujtuar zhvillimet e viteve 90-të gjatë luftërave në ish-Jugosllavi deklaroi se edhe vetë Kroacia ka pasur përvojë të ngjashme kur disa pjesë të territorit ishin pushtuar nga Ushtria jugosllave e kontrolluar nga Serbia.

“Riintegrimi paqësor i Kroacisë në rajonin e tij të Danubit ka qenë një nga operacionet më të suksesshme të drejtuara nga OKB-ja ndonjëherë, veçanërisht në tokën evropiane”, ka deklaruar Plenkoviq.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, ai është shprehur se Kroacia mbështet plotësisht integritetin territorial të Ukrainës, duke potencuar se gjithashtu se vendi i tij “posedon aftësi të veçanta që mund të ndihmojnë këtë vend të Evropës Lindore të ri integrojë në mënyrë paqësore zonat e saj të pushtuara”.

Ai paralajmëroi Rusinë për shkeljen e të drejtave të banorëve në Krime, ndaj grupeve etnike si tatarët, ukrainasit si dhe anëtarëve të komuniteteve fetare minoritare.

Gjithashtu ka ofruar mbështetjen e Kroacisë për Ukrainën me përvojën e saj në adresimin e çështjeve dhe nevojave të veteranëve të luftës si dhe heqjen e minave tokësore.

Sipas raporteve ndërkombëtare një numër i madh i njerëzve, rreth 2 milion banorë kryesisht civil, janë të ekspozuar ndaj kërcënimit nga minat tokësore të vendosura nga separatistes pro-rus në territoret e pushtuara nga Rusia në Lindje të Ukrainës. /Telegrafi/

Exit mobile version