Site icon Telegrafi

Krizë në fazën e mbrojtjes, Chelsea po mendon për transferimin e yllit të Serie A

Chelsea raportohet se ka dërguar skautë për të përcjellë qendërmbrojtësin e Bolognas, Sam Beukema, teksa po synojnë që të përmirësojnë problemet në fazën defanzive.

Sipas një raportimi nga gazetari italian Gianluca Di Marzio, skautët e Chelseat e përcollën reprezentuesin holandez gjatë fitores së Bolognas me rezultat 2-1 ndaj Milanit të enjten.

Por në rast se ‘Blutë e Londrës’ e duan transferimin e 26-vjeçarit, atëherë ata duhet të përballen me konkurrencën e fortë nga klube të tjera si Inter, Juventus dhe Atletico Madrid.

Chelsea nuk ka arritur që të gjejë stabilitet në mbrojtje këtë sezon, teksa ata huazuan Axel Disasin tek Aston Villa.

Trevoh Chalobah u rikthye nga huazimi i tij tek Cyrstal Palace, teksa Wesley Fofana dhe Benoit Badiashile për pjesën më të madhe të kohës ishin të lënduar.

Dhe nëse marrim parasysh faktin që ata po kërkojnë transferimin e Beukemas, atëherë kjo do të thotë se Enzo Maresca nuk është i kënaqur me opsionet që ka.

Beukema iu bashkua Bolognas nga AZ Alkmaar në vitin 2023 dhe që prej atëherë, ai ka realizuar dy gola dhe ka bërë 62 paraqitje për klubin italian.

Mbetet të shihet nëse klubi londinez do të bëjë ndonjë lëvizje për Beukeman, kontrata e të cilit me Bolognan skadon në verën e vitit 2027./Telegrafi/

Exit mobile version