Eliminimi i turpshëm nga Bayern Munichu në Ligën e Kampionëve, e ka thelluar edhe më shumë krizën brenda klubit të Barcelonës.
Presidenti Josep Maria Bartomeu e ka të qartë situatën në të cilën gjendet, prandaj është duke menduar daljen nga ajo dhe për këtë duhet t’i marrë tri vendime kyçe.
Vendimi i parë, zëvendësimi i trajnerit. Tashmë po qarkullojnë emrat që mund ta zëvendësojnë Quique Setienin, me Mauricio Pochettinon që konsiderohet favorit (por nuk duhet anashkaluar edhe Ronald Koemanin, Massimiliano Allegrin, Thierry Henryn, Garcia Pimientan, madje edhe Xavin).
Vendimi i dytë është kandidatura për zgjedhjet presidenciale që pritet të ndodhin ndërmjet janarit dhe marsit të vitit të ardhshëm. Kjo do t’ia mundësonte presidentit të ardhshëm fillimin e projektit të ri dhe planifikimin e të ardhmes.
Vendimi i tretë është paksa më i komplikuar: Revolucioni në skuadër…, por ai nuk i ka paratë për ta bërë këtë. Pandemia e coronavirusit ka bërë që klubi të humbë më shumë se 200 milionë euro. Për të blerë lojtarë të rinj, presidenti duhet të bëjë disa shitje të rëndësishme.
Siç shkruan Sport.es, Barcelona duhet të përballet me këtë përfundimin e dhimbshëm të një epoke pa pasur ndonjë projekt të gatshëm për të ardhmen. Krahas emrave që tashmë janë në shitje (Neto, Samuel Umtiti, Junior Firpo, Ivan Rakitic, Arturo Vidal, Rafinha, Martin Braithwaite, Philippe Coutinho…), klubi planifikon t’i shesë edhe disa lojtarë të rëndësishëm të ekipit të parë, si Jordi Alba, Sergio Busquets e Luis Suarez, por edhe përpjekjet për rikthimin eventual të parave nga blerjet e Ousmane Dembele dhe Antoine Griezmann. /Telegrafi/