Irritim, skepticizëm dhe habi. Këto ishin reagimet kur gjatë kohës si korrespondente në Brazil, vija për pushime në vendlindje, në Gjermani. Në Brazil jeta duhet të jetë e tmerrshme, dëgjoja. Inflacion i lartë, kriminalitet, varfëri, drogë, dhe pyjet e Amazonës që po priten me shpejtësi. Si mund të jetosh në një vend të tillë? Ta duash? Ndërkohë, pyetjet e tilla më vijnë nga Brazili, kur shkoj për pushime atje, një shenjë se sa ka ndryshuar Gjermania dhe perceptimi për Gjermaninë.
Kur vitin e kaluar përmbytja shkatërroi luginën Ahr, miqtë e mi brazilianë donin të jepnin donacione. Tani është frika se në dimër duhet të lahemi me ujë të ftohtë nëse Rusia mbyll rubinetin e gazit. Për shumë braziliane dhe brazilianë që bëjnë dush disa herë në ditë, kjo është një gjë e papërfytyrueshme.
Alemanha – te kjo fjalë mes brazilianëve gjithmonë dëgjohej edhe admirimi. Por, ndërkohë dëgjon edhe tone kritike; më duhet gjithnjë e më shpesh të justifikohem për Gjermaninë dhe për problemet e saj, ta shpjegoj gjendjen. Shumë kanë mirëkuptim dhe i thonë “mirëserdhe” Gjermanisë në klubin e njerëzve që jetojnë prej kohësh në kriza. Një gjendje tërësisht e re. Sepse, më parë ishin brazilianët ata që duhet të shpjegonin gjendjen e krizat në vendin e tyre dhe të luteshin për mirëkuptim për kaosin në vendin e tyre.
Për të lenë mënjanë keqkuptimet: Problemet në Gjermani dhe në Brazil, si edhe më parë dallojnë shumë. E, unë nuk dua as që ta bëj të keq një vend apo t’i quaj të mira krizat e vazhdueshme në njërin apo tjetrin vend. Mesazhi thjesht është: Gjermania që nga Rënia e Murit të Berlinit është bërë ca më shumë braziliane.
Koronavirusi, lufta dhe terrorizmi, inflacioni, Brexit-i dhe kriza e euros, ndryshimi i klimës, politika kombëtare dhe ndërkombëtare janë prej 20 vjetësh në një gjendje të vazhdueshme krize. Para se qeveritë e koalicionit të pyesin veten se çfarë kanë mësuar nga krizat e tejkaluara, plas kriza tjetër që kërkon sakrifica të tjera nga populli dhe unitet. Fundi nuk duket në horizont.
Gjermania nuk ka qenë dhe nuk ka për të qenë ndonjëherë ishulli i të lumturuarve. Por, tani ardhur koha që t’i themi përfundimisht lamtumirë këtij ideali. Vendi ka mbërritur gjendjen e krizës së vazhdueshme dhe nuk është vetëm.
Si mund të ishte ndryshe? Ndryshimi i klimës kalon edhe nga kufijtë gjermanë. E, edhe pse në këtë vend nuk bien bomba, pasojat e luftës në Ukrainë dhe Siri i ndjejnë të gjithë. Kësaj i shtohen probleme të krijuara vetë si infrastruktura e vjetruar, interneti i ngadaltë, trena të vonuar, mungesë arsimtarësh, mungesë personeli shëndetësor dhe fuqie punëtore të kualifikuar.
Megjithatë, në shumë drejtime Gjermania shihet si model. Por, edhe nëse nuk do të ishte kështu, unë e dua vendin tim ashtu si është, si dua edhe Brazilin. E di pyetjen që pason: a mund ta duash Brazilin me një president si Bolsonaro? E Gjermaninë me gjithë AfD-në? Po, mundesh, sepse unë e admiroj shoqërinë gjermane për aftësinë e të përballuarit të sulmeve antidemokratike dhe të mbrojë shtetin ligjor. Kurse, brazilianet e brazilianët i admiroj për forcën e tyre dhe, si ata, në vitet e kaluara mbrojtën institucionet demokratike, sidomos drejtësinë, që i reziston rregullisht sulmeve të presidentit.
Gjendja e krizës së vazhdueshme politike, ekonomike e shoqërore është sforcuese dhe më lodh, por më duhet të jetoj me të. As nuk mund ta injoroj, as ta mallkoj, as të iki prej saj apo të dorëzohem.
Kontaktet me fëmijët e rrugës në Brazil më kanë mësuar, se edhe në një gjendje në dukje të pashpresë, janë të mundura ndryshimet. Në mesin e krizave, shkëndija të tilla shprese mund të jenë ngushëlluese, madje ekzistenciale. Sepse, pa shpresën, gjendja e krizës së vazhdueshme nuk është e përballueshme. /DW/