Site icon Telegrafi

Kriza politike pengon jetësimin e Strategjisë Zhvillimore

Ekspertët e çështjeve ekonomike vënë në dyshim zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2016 – 2021, të aprovuar nga Qeveria e Kosovës ditë më parë. Ata thonë se kriza politike që po përcjell Kosovën tani e sa muaj, pamundëson jetësimin e kësaj strategjie.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, thotë se jostabiliteti politik po pengon në vazhdimësi çështjet ekonomike dhe rrjedhimisht do ta pengojë edhe zbatimin e strategjisë zhvillimore.

“Strategjia zhvillimore e Qeverisë së Kosovës është e pamundur të jetësohet me një klimë aktuale politike që po mbretëron në Kosovë. Kjo për arsye se me një Parlament jofunksional dhe me një polarizim të skenës politike në Kosovë, është gati e pamundur që të bëhet një prioritizim i çështjeve ekonomike dhe zhvillimore në raport me ngjarjet politike të cilat po ndodhin në Kosovë”, thotë Gashi.

Që nga nënshkrimi i marrëveshjes me Serbinë 25 gushti i vitit të kaluar, në Bruksel, tri partitë opozitare në Kosovë jo vetëm që kanë bojkotuar, por edhe kanë bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës. Këtë gjë e kanë bërë në shenjë kundërshtimi e proteste ndaj nënshkrimit të marrëveshjeve Kosovë-Serbi për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e më pas edhe kundër marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Në shenjë pakënaqësie ndaj këtyre marrëveshjeve, partitë opozitare në vazhdimësi kanë protestuar. Kjo situatë e brishtë politike, shton Gashi, duhet të tejkalohet, në të kundërtën Strategjia Zhvillimore do ta ketë fatin e strategjive të tjera, të cilat asnjëherë nuk janë zbatuar.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e vlerëson aprovimin e strategjisë zhvillimore. Ai thotë se Kosovës i është dashur një dokument i tillë, në mënyrë që të avancojë proceset ekonomike.

Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2016-2021 fokusohet në adresimin e pengesave kryesore të zhvillimit ekonomik dhe të konkurrencës. Kjo strategji është e ndarë në katër shtylla, kapitali njerëzor, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë, zhvillimi i industrive konkurruese dhe zhvillimi i infrastrukturës. /REL/

Exit mobile version