Site icon Telegrafi

​Kriza energjetike, Oda e Afarizmit: Qeveria sa më parë ta hartojë një plan për mbrojtjen e bizneseve

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi gjatë shpalosjes së raportit vjetor, tha se 2021-në po e përmbyllin si një vit të vështirë pandemik gjatë të cilit operimi i sektorit privat ishte shumë i rënduar.

Ai me këtë rast ka përmendur edhe krizën e energjetike e cila ka vështirësuar edhe më tepër funksionimin e rregullt të bizneseve, duke marrë parasysh se reduktimet më së shumti po dëmtojnë bizneset dhe punëtorët.

“Për t’iu dalë në ndihmë bizneseve, është e nevojshme që Qeveria e Kosovë sa më parë ta hartojë një plan për mbrojtjen e bizneseve, që të ketë sa më pak reduktime të rrymës në zonat ku ka biznese, ndërsa në rast të ngritjes së çmimeve, OAK kërkon që të bëhet subvencionimi i diferencës së çmimit”, theksoi Krasniqi.

Kreu i OAK-ut, tha se shqetësuese është mos funksionimi i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime si këshill më i lartë në nivel të vendit, në të cilin do të duhej të trajtoheshin të gjitha shqetësimet e bizneseve.

Lexo po ashtu Miratohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen e gjendjes emergjente me energji elektrike

Krasniqi përmendi një sërë kërkesash që kanë bërë në BQK për lehtësimin e punës së bizneseve. Një ndër to të largohet kamata prej 5-8 për qind për kthimin e parave metalike në kartëmonedha, detyrim i vendosur nga BQK.

Në fund, ai ka kërkuar nga kryeministri, ministrat dhe Kuvendi i Kosovës që gjatë vitit të ardhshëm të jenë më aktivë në koordinimin e politikave së bashku me biznesin. /KP/

Exit mobile version