Site icon Telegrafi

Kriza energjetike, Kurti: Ministrat të marrin veprimet e nevojshme që të sigurojnë stabilitet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ministrat që të marrin masat e nevojshme që të sigurojnë stabilitet me furnizim të energjisë.

Kurti këto komente i bëri në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Ftoj ministrat të marrin të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme që të sigurojnë stabilitet me furnizim të energjisë dhe kjo të jetë e përballueshme për qytetarët tanë”, tha ai.

Kurti shtoi tutje se deri tani kanë mundur të evitojnë efektet e krizës energjetike.

“Kriza energjetike ka prekur Evropën e rajonin që prej disa muajsh, e tani po troket edhe në derën tonë, deri më tash kemi arritur të evitojmë efektet e kësaj krize, falë kapaciteteve tona të prodhimit të energjisë mirëpo zgjatja e krizës dhe rritja e konsumit gjatë muajve të dimrit i tejkalojnë kapacitetet vendore”, pohoi ai.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se që së shpejti në Qeveri do të sjellë rekomandimet se si të tejkalohet kriza.

“Ministria e Ekonomisë e ka përcjellë nga afër krizën me energjinë. Kam krijuar një task forcë teknike e cila e ka vlerësuar situatën, parashikimet e nevojat e sektorit. Kam pasur takime me homolog nga Shqipëria e Mali i Zi, për të parë mundësitë e bashkëpunimit, në mënyrë që të ndihmojmë njëra tjetrën. Besoj që shumë shpejt do të vijë në Qeveri me rekomandimet specifike për të kaluar ketë krizë”, pohoi ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version