Një armëpushim në Sudan deri më tani duket se po respektohet pasi hyri në fuqi në mesnatë (të hënën).
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ky është të paktën pezullimi i tretë i luftimeve që nga shpërthimi i dhunës këtë muaj, por të tjerët nuk u respektuan.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se “pauza” 72-orëshe e luftimeve ishte rënë dakord midis ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF) pas 48 orësh negociatash.
Ndryshe, të paktën 400 njerëz janë vrarë që nga shpërthimi i luftimeve më 15 prill.
Ndërkohë të dyja palët në konflikt njoftuan në mënyrë të pavarur përfshirjen e tyre në armëpushim.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka paralajmëruar se dhuna në Sudan rrezikon të përfshijë të gjithë rajonin dhe më gjerë.
Që nga fillimi i dhunës, banorëve të kryeqytetit të goditur, Khartoum, u është thënë të qëndrojnë brenda dhe furnizimet me ushqim dhe ujë kanë mbaruar.
Bombardimi ka goditur infrastrukturën kryesore, si tubacionet e ujit, që do të thotë se disa njerëz janë detyruar të pinë nga lumi Nil.
Dhe ky armëpushim jep shpresë se do t’i lejojë civilët të largohen nga qyteti. Qeveritë e huaja do të shpresojnë gjithashtu se kjo do të lejojë evakuimet e vazhdueshme jashtë vendit.
Dhuna shpërtheu kryesisht në Khartoum, midis fraksioneve ushtarake rivale që luftonin për kontrollin e vendit të tretë më të madh të Afrikës.
Kjo erdhi pas ditësh tensioni pasi anëtarët e RSF-së u zhvendosën në të gjithë vendin në një lëvizje që ushtria e pa si një kërcënim. /Telegrafi/