Telegrafi

Kriza e Sudanit, civilët përballen me katastrofë ndërsa mbi 300 mijë njerëz kanë lënë shtëpitë e tyre

Më shumë se 100,000 njerëz janë larguar nga Sudani që nga shpërthimi i luftimeve të ashpra midis forcave rivale më 15 prill, tha OKB.

Dhe zyrtarët paralajmëruan për një “katastrofë të plotë” nëse luftimet nuk mbarojnë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Veç kësaj bëhet e ditur se rreth 334,000 njerëz të tjerë janë zhvendosur brenda Sudanit.

Luftimet po vazhdojnë në kryeqytetin, Khartoum, midis ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF), pavarësisht nga një armëpushim që supozohet të ishte në fuqi.

Të hënën, i dërguari i posaçëm i OKB-së në Sudan, Volker Perthes, i tha agjencisë së lajmeve AP se të dy palët kishin rënë dakord të hynin në bisedime për të negociuar një armëpushim “të qëndrueshëm dhe të besueshëm”.

Arabia Saudite ishte një vend i mundshëm për bisedimet, shtoi ai.

Nëse zhvillohen këto bisedime, do të ishte takimi i parë mes dy palëve që nga fillimi i konfliktit.

Ndryshe, më shumë se 500 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 4,000 janë plagosur në luftimet, sipas ministrisë së shëndetësisë të Sudanit.

Një seri armëpushimesh të përkohshme kanë dështuar, me ushtrinë që vazhdon të godasë Khartoum-in me sulme ajrore në një përpjekje për të dobësuar RSF-në. Luftimet e ashpra janë zhvilluar edhe në Darfur në Sudanin perëndimor. /Telegrafi/