Site icon Telegrafi

Kritikat e deputetit Uka për keqmenaxhim të pandemisë e acarojnë Zemajn, ministri e quan rrenc deputetin e LVV-së

Në Kuvendin e Kosovës është duke vazhduar seanca për raportimin e kryeministrit Avdullah Hoti lidhur me punën e 100 ditëshit të qeverisë.

E debati është “nxehur” pasi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka ka marrë fjalën dhe ka kritikuar Qeverinë Hoti dhe ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj për dështimin në menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Uka ka thënë se si mund të krenohet dikush për menaxhim të pandemisë që i ka kushtuar Kosovës me 640 jetë të qytetarëve.

“Këto nuk janë 100 ditë të një qeverie të re, por vazhdimësi e një keqqeverisje të vjetër që u ndërpre më 6 tetor 2019. Të njëjtat figura që kanë udhëhequr tash e sa vjet sërish janë faktorët kryesor edhe në këtë qeveri pa numra e pa mbështetje qytetare. Dallimi i vetëm është se disa i kemi në skenë e disa në prapaskenë. Ne e dimë që për atë që nuk e keni bërë për 20 vjet nuk mund ta bëni për 100 ditë por është mirë që sot t’iu bëjmë të kuptoni iluzionin që e keni krijuar për veti.

Le ta nisim me dështimin më të madh që ju po e quani triumf e që e ka emrin menaxhimi i pandemisë. Sepse sinqerisht është e turpshme, jo vetëm e papërgjegjshme që dikush të jetë krenar me menaxhimin e pandemisë që i ka kushtuar Kosovës me 640 jetë të qytetarëve, jo vetëm e papërgjegjshme por edhe e turpshme se kjo Qeveri është në gjendje të dalë e të thotë se kemi korrur sukses në menaxhimin e pandemisë vetëm pse është ulur përkohësisht numri i të infektuarve dhe vazhdojnë prapë të jemi në krye të çdo liste për nga numri i të infektuarve dhe të vdekurve nga COVID-19. Çfarë shembulli është ky është për qytetarët”, ka thënë Uka.

E kjo e ka acaruar ministrin Zemaj i cili ka ndërhyrë nga ulësja e tij duke i thënë deputetit Uka “mos rrej”.

“Mos rrej, po rren. Ti je rrenc”, i ka thënë Zemaj deputetit Uka.

Në këtë debat u përfshi edhe nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, e cila i tha ministrit Zemaj të ketë kujdes me fjalorin.

“Ministër të lutem kujdes me fjalorin që po e përdor. Nuk ke asnjë të drejtë me ofendu deputetin, nuk mundesh me i thënë as rrenc përderisa po flet me fakte, dëgjo dhe ruaje qetësinë”, ndërhyri Nagavci. /Telegrafi/

Exit mobile version