Një ish-udhëheqës i një bande daneze, që shkruajti një biografi me detaje për botën e krimit, është qëlluar për vdekje vetëm një ditë para publikimit të librit të tij.
Nedim Yasar u shënjestrua sapo doli nga dera e sallës ku u mbajt ceremonia e përurimit të hënën në kryeqytetin danez, Kopenhagën.
Autori i krimit u largua nga vendi i ngjarjes në këmbë, tha policia. Yasar u dërgua në spital por humbi jetën për shkak të plagëve të rënda.
Biografia e tij, e titulluar Roots (Rrënjët), u botua të martën.
Edhe vitin e kaluar ai kishte qenë shënjestër e një atentati.
Incidenti i së hënës, u njoftua pak pas orës lokale 19:30. Një i dyshuar i veshur me rroba të zeza gjuajti të paktën dy herë në drejtim të Yasaj, tha Departamenti i Policisë së Kopenhagës në një deklaratë.
Policia ka nisur hetimet dhe po merren në pyetje dëshmitarët për të hedhur dritë mbi çështjen.
Yasar, i cili lindi në Turqi dhe në moshën 4 vjeçare u zhvendos në Danimarkë, udhëhoqi bandën kriminale Los Guerreros, një bandë famëkeqe me lidhje me tregtinë e drogës, sipas policisë.
Ai u largua nga banda në vitin 2012 pasi zbuloi se do të bëhej baba, njoftoi agjencia daneze e lajmeve Ritzau.
Më pas u bë mentor për të rinjtë dhe drejtonte një emision radiofonik në Radio24syv.
Pas lajmit të vdekjes, stacioni radiofonik uli flamurin danez në ndërtesën e saj në gjysmë shtizë dhe shkruajti një mesazh në Twitter: “Lamtumirë Nedim Yasar dhe faleminderit për gjithçka”.
Libri i Yasar, Roots: A Gangster’s Way Out, është shkruar nga Marie-Louise Toksvig dhe përshkruan udhëtimin e të ndjerit ndërsa tërhiqej nga bota e krimit.
Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Soren Pape Poulsen, e përshkroi vdekjen e Yasar të martën si të pakuptimtë.
“E kam takuar një herë Nedim, takova një njeri që me gjithë zemër dëshironte të krijonte një jetë të re dhe të bënte një ndryshim për të tjerët,”-tha Poulsen. /oranews/