Telegrafi

Krimi i pasionit, përcillet në banesën e fundit 21-vjeçaraja, që u vra në Tiranë

Është përcjell sot për në banesën e fundit 21-vjeçarja që u vra të dielën nga ish-shoku i klasës së saj. Ajo u qëllua me një plumb në kokë përpara Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë.

Nga plagët e marra, Ariela Murati, 21-vjeçarja studentja e ekselencës, gjeti vdekjen e menjëhershme. Ajo është përcjell sot për në banesën e fundit, nga miq dhe familjar të saj.

Gjithçka ka ndodhur ne 60 sekonda dhe pastaj dy krismat, plumbi ne kokë që i mori jetën Arielës dhe një tjetër në fytyrë nga vet autori, që pasi vrau vajzën që donte, qëlloi edhe veten.

“Panorama” shkruan se motra dhe kushërira e viktimës, Ariela Murati, kanë qenë dëshmitare të krimit të rëndë, që ndodhi në Tiranë. Të tria vajzat kanë qenë bashkë, duke ecur në trotuarin para Universitetit të Mjekësisë, kur kanë takuar në rrugë autorin e ngjarjes, Aldison Belulaj.

Ky i fundit ka ndaluar duke i kërkuar Arielës që të sqaronin diçka bashkë vetëm për pak minuta. Vajza ka pranuar, ndërsa motra dhe kushërira e saj kanë ecur vetëm pak hapa më larg, duke i lënë që të flisnin vetëm. Por menjëherë mes tyre ka nisur një debat, që ka zgjatur jo më shumë se 60 sekonda.

Në këtë kohë, 23-vjeçari Belulaj ka nxjerrë nga xhepi i xhupit një pistoletë dhe ka qëlluar një herë në kokë 21-vjeçaren. Menjëherë ka kthyer armën nga vetja duke tentuar edhe vetëvrasjen. Ai ka qëlluar veten në fytyrë dhe ka mbetur i plagosur rëndë. Ndërsa dy vajzat janë afruar për t’i ardhur në ndihmë Arielës.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, dëgjohen thirrjet dëshpëruese të motrës së viktimës, që kërkon ambulancën.

“Thërrisni ambulancën… thërrisni ambulancën”, dëgjohen thirrjet me ngashërima të motrës së viktimës, ndërsa në video duken dëshmitarë të rastit, që përpiqen t’i vijnë në ndihmë duke parë nëse vajza ka shenja jete apo jo. /Panorama/Telegrafi/