Site icon Telegrafi

Kreu i opozitës izraelite: Autoritetet injoruan paralajmërimet e shërbimit sekret para 7 tetorit

Udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid akuzoi qeverinë e Benjamin Netanyahut për injorimin e paralajmërimeve të shërbimit sekret përpara sulmit të Hamasit të 7 tetorit.

“Dy javë para sulmit të Hamasit, mora informacion nga shërbimi sekret izraelit se do të ketë shpërthim të dhunës në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Unë e paralajmërova këtë në një konferencë për shtyp, por për fat të keq, askush nuk dëshironte të dëgjonte atëherë”, tha ai.

Lexo po ashtu Izraeli është i gatshëm të arrijë kompromis për një tjetër pauzë humanitare në Gaza

Lapid, i cili po viziton Gjermaninë, e tha këtë në një intervistë ekskluzive për Bild.

Politikani me përvojë përsëriti kritikat ndaj kryeministrit izraelit dhe partnerëve të tij politikë të ekstremit të djathtë dhe theksoi se vendi ka nevojë për ndryshime politike.

“Po, është e vërtetë, kërkova në mediat izraelite: Netanyahu duhet të kishte dhënë dorëheqje dhe të niste një ndryshim të rregullt të qeverisë. Në fakt, një ditë pas sulmit nga Hamasi. Fatkeqësia ndodhi gjatë mandatit të tij dhe ishte faji i tij”, shtoi Lapid.

Politikani izraelit mbështeti gjithashtu sugjerimet se agjencitë e sigurisë të vendit duhet të kryejnë operacione që synojnë vrasjen e udhëheqësve të Hamasit.

Ai nuk përjashtoi negociatat me Hamasin, por nuk pranoi të jepte ndonjë detaj rreth kushteve ose kërkesave të mundshme nga Izraeli.

Lexo po ashtu Pasojat e luftës Hamas-Izrael, çfarë po ndodh në Detin e Kuq?

“Ne duhet t’u bëjmë një ofertë terroristëve në një moment. Por, unë nuk dua të diskutoj publikisht se çfarë mund të jetë”, vuri në dukje Lapid.

Kur u pyet për skenarët e pasluftës, Lapid tha se ata nuk kanë ndërmend të pushtojnë Gazën pas luftës dhe se mund të ketë opsione të ndryshme që ai tha se duhet të garantojnë sigurinë e Izraelit.

Ndryshe, mediat ndërkombëtare kanë shkruar javë më parë se autoritetet izraelite kishin informacione se militantët e Hamasit po përgatiteshin të realizonin sulmin terrorist. /Telegrafi/

Exit mobile version