Site icon Telegrafi

Kreu i FFK-së e priti futbollistin Arton Zekaj që do të jetë pjesë e Përfaqësueses U-21

(Foto: ffk-kosova.com)

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e ka pritur në zyrën e tij futbollistin e ri Arton Zekaj, pjesë e klubit francez, Lille, i cili ditë më parë është pajisur me pasaportë të Kosovës dhe do të jetë pjesë e Përfaqësueses U-21. Të pranishëm në takim ishin edhe babai i futbollistit, Din Zekaj, si dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe menaxheri i ekipit U-21, Zgjim Sojeva.

Ademi i dëshiroi mirëseardhje Artonit në folenë Dardane dhe e falënderoi atë për vendimin e marrë që ta përfaqësojë Kosovën, duke e realizuar në këtë mënyrë dëshirën e prindërve dhe të familjes së tij të gjerë, por edhe të shumë tifozëve. Kreu i FFK-së tutje ka thënë se paraqitjet e mira të ekipit kombëtar kanë bërë jehonë kudo dhe Kosova po vlerësohet si storie e suksesit, derisa edhe përkrahja e popullit dhe e institucioneve është maksimale. E kjo ka ndikuar edhe te futbollistët shqiptar kudo që janë që të kenë dëshirë të madhe për ta përfaqësuar vendin e origjinës së tyre.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Përfaqësuesja e Kosovës

Ndërkaq, babai i futbollistit u shpreh i lumtur që tashmë djali i tij do të jetë pjesë e Kosovës, derisa ka shprehur falënderime për të gjithë trajnerët që kanë punuar me Artonin gjatë zhvillimit të tij si futbollist – thuhet në njoftimin e FFK-së.

(Foto: ffk-kosova.com)

“Ne i jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë punuar dhe që e kanë ngritur në këtë nivel Artonin, por edhe menaxherit Milan Kesic, i cili na ka përkrahur që ta realizojmë dëshirën që Artoni të luaj për Kosovën. Kjo pa dyshim do t’i ndihmoj të rritet edhe më tutje profesionalisht”, ka thënë babai i futbollistit.

Vet futbollisti e ka falënderuar presidentin Ademi për përkrahjen, derisa është shprehur i lumtur që do ta veshë fanellën e Kosovës, që është vendi i origjinës së tij.

Në fund, presidenti Ademi ia ka dhuruar Arton Zekajt një fanellë të Përfaqësueses, të cilën ai do ta veshë për ekipin U-21 që nga ndeshjet e muajit shtator, ngase për dy ndeshjet e qershorit kundër Andorrës dhe Turqisë nuk do të mund të jetë në shërbim të përzgjedhësit Rafet Prekazi për shkak të lëndimit.

Exit mobile version