Telegrafi

Kremlini fajëson “përdorimin e telefonit celular” për sulmin raketor ukrainas nga i cili mbetën të vrarë dhjetëra ushtarë rusë

Rusia ka thënë se një sulm raketor i Vitit të Ri, i cili vrau të paktën 89 ushtarë rusë, ndodhi për shkak se trupat ruse po përdornin telefonat e tyre celularë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, zyrtarët rusë kanë thënë se përdorimi i telefonave të ndaluar i lejoi armikut të gjente objektivin e tij.

Si pasojë, tashmë ka nisur një hetim.

Ukraina thotë se 400 ushtarë u vranë – dhe 300 të tjerë u plagosën – në sulmin ndaj një kolegji për rekrutët në Makiivka, në zonën e okupuar të Donetsk.

Dhe ky vlerësohet si numri më i madh i humbjeve ruse në një ditë të vetme.

Rusia tha se në orën 00:01 me orën lokale të Vitit të Ri, gjashtë raketa u hodhën nga një sistem raketor Himars i prodhuar në SHBA në një kolegj profesional, dy prej të cilave u rrëzuan.

Një komision po heton rrethanat e ngjarjes, thuhet në deklaratë.

Por është “tashmë e qartë” se shkaku kryesor i sulmit ishte prania dhe “përdorimi masiv” i telefonave celularë nga trupat në rrezen e armëve ukrainase, pavarësisht se kjo ishte e ndaluar.

“Ky faktor i lejoi armikut të lokalizojë dhe të përcaktojë koordinatat e vendndodhjes së personelit ushtarak për një sulm raketor”.

Zyrtarët e shpallur fajtorë në hetim do të sillen para drejtësisë, shtohet në deklaratë dhe po ndërmerren hapa për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen. /Telegrafi/