Site icon Telegrafi

Krejt Estrada në këmbë: Urojnë Kombëtaren

Radio Dukagjini, programin muzikor tradicional të së dielës, me muzikë popullore, ia ka dedikuar Kombëtares Shqiptare.

Yjet më të njohur të muzikës popullore kanë ndarë emocione, kanë uruar dhe kanë dhënë impresionet e tyre, për fitoren e kombëtares. Shumë nga ta kanë ndërprerë aktivitetin muzikor për ta ndjekur ndeshjen e kombëtares, dhe kanë festuar me Radio Dukagjinin:

Rosela Gjylbegu

“Jam në qendër të Tiranës. Këtu po festohet aq shumë saqë këtë emocion timin e plotëson edhe thirrja juaj Radio Dukagjini, e cila po më bënë vërtetë të ndjehem se jemi shumë si komb. Kam pas shumë frikë nga rrjedha e lojës, por edhe shumë besim se do të fitojmë.”

Shkëlzen Jetishi – Xeni

“Ishte një fitore e pritur. U shtanga kur pashë golin. Po dal në festë në qendër të Gjakovës. E merituam. Goli i Sadikut ndali zemrat e krejt kombit. Kam emocion. Gëzuar.”

Ramadan Krasniqi – Dani

“Patëm rezultat të pamerituar në dy ndeshjet e shkuara. Kjo që ndodhi sonte na futi në historinë e futbollit evropian. Pak ka rëndësi për mua se a mbetemi më tutje në ‘Euro 2016’, ne mbetëm në historinë më të re të futbollit evropian dhe këtë nuk mund të shlyej askush. Tifozët ishin përgjatë tërë kohës krenaria jonë në Francë. Urime urime.”

Sinan Vllasaliu

“Jam në SHBA, besoni krejt po festohet Kuq e Zi. Zemra po më kënaqet. Nuk dua të flas për atë se çka pritet të ndodhë në të ardhmen. Kombëtarja na bëri krenarë. Kultura e tifozëve tregoi se kush jemi ne. Festa këtu po vazhdon, jam me plot shqipe këtu, u kënaqëm.”

Afrim Muçiqi:

“E kam ndërprerë dasmën sonte, vetëm për ta ndjekur këtë lojë herë pas here. Kjo që sonte bëri kombëtarja, e nderoi kombin. Na duhet pak fat në matematikë dhe jemi aty ku e meritojmë.”

Nysret Muçiqi

“Jam me Meritën, Albatritin dhe krejt familjen në sheshin Skënderbeu në Tiranë dhe po festoi për krenarinë që na e sollën stërnipat e Skënderbeut. Mirë me qenë shqiptar.”

Kanë uruar dhe emra të tjerë në këtë program.

Exit mobile version