Telegrafi

Krejt çka ndodhi gjatë lirimit të objektit të Hotel “Victory” (Video)

Policia e Kosovës, dhe krimet ekonomike, mëngjesin e së premtes, kanë bastisur Hotelin “Victory”.

Krejt ky aksion policor është bërë pas kërkesës së AKP-së për lirimin e pronës nga biznesmeni Bedri Selmani, i cili kishte refuzuar një gjë të tillë.

Pas 17 vjetësh uzurpimi, AKP-ja ka kthyer në pronësi Hotelin Victory.

Por, vajzat e ish-deputetit të PDK-së, Bedri Selmani, kanë refuzuar të lirojnë objektin pa urdhër të gjykatës.

Madje, ajo e ka quajtur veprim ilegal aksionin e Policisë së Kosovës. Megjithatë, zyrtarë të AKP-së dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës e kanë kryer punën e tyre.

Ata kanë mbyllur hotelin, në të cilin për shumë vjet Partia Demokratike e Kosovës i kishte mbajtur shumicën e mbledhjeve të partisë.

Ndërkaq, kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, e ka përshëndetur veprimin e organeve të rendit dhe të ligjit për lirimin e pronave të uzurpuara.

Ish-këshilltari i kryeministrit Hashim Thaçi në Qeverinë e Përkohshme të pasluftës, Bedri Selmani, e kishte pushtuar pas lufte një hapësirë të madhe tokë shoqërore si dhe një objekt të cilin e ka kthyer në hotel.

Ai nuk ishte bindur që ta lëshojë pronën, pavarësisht vendimeve të Gjykatës.

Po ashtu Bedri Selmani, me një leje të UNMIK-ut, që nga paslufta e deri vitin e kaluar, ka shfrytëzuar të gjitha pikat e shitjes së karburanteve, pronë e INA-s.