Telegrafi

Krejt çfarë ndodhi sot në kremtimin serb të Vidovdanit (Video)

Në qendër të Mitrovicës Veriore, është zbuluar përmendorja e Car Llazarit.

Në këtë inaugurim ka marrë pjesë edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Ai wshtw shoqëruar nga anëtarët e kabinetit qeverisës të Isa Mustafës, Branimir Stojaneviq dhe Lubomir Mariq.

Gjuriq në fjalimin e tij tha se ardhja e Car Llazarit tregon se do të qëndrojë gjithnjë këtu me popullin serb.

“Popullin dhe shtetin tuaj mund ta doni në mënyra të ndryshme, sepse nuk ekziston ndonjë lloj ekskluziv i patriotizmit. Por, Serbia nuk mundet të duhet pa Kosovën. Çfarë patriotizmi është ai, i cili heq dorë nga ajo që është më e çmueshme që e kemi, që heq dorë nga esenca dhe çdo përmbajtje. Prandaj, betimi i Shën Vidit që e themi sot në Kosovë, nuk është vetëm i thjeshtë, por duhet të jetë betim i gjithë popullit serb”, ka thënë Marko Gjuriq.

Qindra serbë kanë marrë pjesë në festën e Vidovdanit, e cila organizohet çdo vit në Gazimestan, aty ku mendohet se është zhvilluar Beteja e Kosovës, raporton KTV.

Ky aktivitet është shënuar nën masa të rrepta sigurie të Policisë së Kosovës.

Edhe në këtë manifestim, sikurse edhe herëve tjera, serbët kanë veshur fanella me mbishkrime nacionaliste, si “Kosova është Serbi”, e të tilla të ngjashme.

Derisa askush prej liderëve serbë nuk ka marrë pjesë në këtë manifestim, përveç familjes së ashtuquajtur mbretërore.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me kohë i ka ndërmarrë të gjitha masat për t’u kujdesur që gjatë gjithë ditës të mos lejojë provokim të situatës.