Site icon Telegrafi

Krasniqi: VV-ja po ia bën qejfin LDK-së me rezultatet e sondazheve

Ndaj rezultateve të sondazhit që i ka publikuar Vetëvendosje dje, ka reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.

Krasniqi nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për Telegrafin, ka thënë se sondazhet e Vetëvendosjes nuk ia vlen të komentohen.

Shefi i deputetëve të PDK-së ka vlerësuar se “VV-ja po ia bën qejfin edhe partnerit të ri, LDK-së”, duke theksuar se “këto dy parti janë bashkuar në misionin për sabotimin e shtetit”.

“Sondazhet partiake as që ia vlen të komentohen. Vetëvendosje edhe në të kaluarën ka bërë kësi lloj marketing me sondazhe, por asnjëherë nuk kanë rezultuar të sakta. Edhe tash është njëjtë, përveç faktit që në këtë rast po ia bëjnë pak qejfin edhe LDK-së, sepse tashmë janë bashkuar në misionin e tyre për sabotimin e shtetit tonë”, ka deklaruar Krasniqi për Telegrafin.

Nënkryetari i PDK-së si sondazh të vërtetë, e ka vlerësuar vetëm vullnetin e qytetarëve nëpërmjet zgjedhjeve të lira.

“Përndryshe, sondazhi i vetëm i saktë është vullneti qytetar i shprehur përmes zgjedhjeve të lira, ku ata as që kanë fituar më herët, dhe as që do të fitojnë ndonjëherë”, ka thënë Memli Krasniqi.

Ndaj këtyre rezultateve më herët ka reaguar edhe deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina.

Ajo tha për Telegrafin se LDK-ja dhe VV-ja po tentojnë ta tërheqin vëmendjen nga temat aktuale politike, për t’u marrë me matjet e opinionit publik.

Sondazhi i VV-së është bërë publik gjatë ditës së djeshme, nëpërmjet një konferencë për media.

Sipas rezultateve, LDK-ja është partia e parë në vend, duke lënë pas Vetëvendosjen.

Pozitën e tretë dhe të katërt, e zënë PDK-ja përkatësisht AAK-ja. /Telegrafi

Exit mobile version