Telegrafi

Krasniqi: Vrasja e grave alarm që duhet ta zgjojë secilin person, institucionet të veprojnë urgjentisht

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar ashpër pas vrasjes së një gruaje sot në orët e mëngjesit në Pejë, ku i dyshuar është bashkëshorti i saj.

Krasniqi në një postim në Facebook shkruan se dy gra u vranë në tri ditë nga partnerët e tyre – të cilët kanë qenë edhe më parë të denoncuar në polici për çështje të dhunës në familje.

“Dy gra të vrara në tri ditë nga partnerët e tyre – të cilët kanë qenë edhe më parë të denoncuar në polici për çështje të dhunës në familje. Ky është alarmi që duhet të zgjojë secilin person që ka sado pak përgjegjësi për të garantuar sigurinë e qytetarëve – e institucionet shtetërore kanë më së shumti. Çfarëdo që është duke bërë aktualisht Qeveria e Kosovës, nuk është më e rëndësishme sesa siguria e grave në Kosovë”, shkruan Krasniqi.

Lexo po ashtu I dyshuari për vrasjen në Pejë ishte i dënuar për dhunë në familje, prokurori Qavolli: Vrasje makabre, i pandehuri është ndaluar për 48 orë

Ai u bëri thirrje që urgjentisht të krijohet një task-forcë me kompetenca të plota për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe vrasjet.

“Duhet vepruar pa justifikime dhe pa përjashtime. Pa pardon për recidivistët. Me ndëshkueshmëri maksimale për dhunuesit dhe vrasësit e grave. Duhet garantuar mbrojtje, mbështetje dhe siguri për gratë. Mos lejoni që Kosova të shndërrohet në një vend ku jeta e grave nuk vlen aspak. Lëvizni, ju lutem, sepse nuk është momenti për fjalë!”, shkruan tutje Krasniqi. /Telegrafi/