Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka njoftuar se të premten ka vizituar Nasim Haradinajn në Gllogjan, për t’i uruar lirimin nga Haga.
Ai ka treguar se ditën e enjte, kur Haradinaj u kthye në Kosovë, ka kapur çiftelinë dhe ka kënduar, siç është shprehur Krasniqi, nga malli për bashkëluftëtarët e tij që kanë mbetur në Hagë.
“U ul në odë mes burrave, kapi çiftelinë dhe ia tha këngës. Kjo ishte gjëja e parë që Nasimi bëri dje pasi u kthye nga Haga. Natyrisht, jo nga gëzimi për vetveten, por nga malli që shokët i mbetën mbrapa – sepse vaji i burrit është kënga”.
“Sot, bashkë me kolegë dhe bashkëpunëtorë e vizituam në Gllogjan dhe i uruam lirimin e kthimin pranë familjes e shoqërisë”, ka shkruar kreu i PDK-së në Facebook.
Krasniqi më tej ka uruar që “edhe beteja e fundit e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre të përfundojë sa më parë e t’i kemi edhe ata përsëri në mesin tonë”.
“Mirë se vjen, Nasim”, ka përfunduar ai.
Haradinaj u lirua me kusht nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Në vendim thuhet se pasi është shqyrtuar tërësia e informacionit që është paraqitur, përfshirë raportin, është vendosur që për lirimin e Haradinajt në përputhje me rregullën 196 të Rregullores dhe nenin 11 të Udhëzuesit të Punës, për pjesën e mbetur të dënimit të shqiptuar nga Paneli i Gjykatës së Apelit, me zbatimin e disa kushteve.
Haradinaj është zotuar se “nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij”. /Telegrafi/