Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka thënë se në pjesën veriore është duke ndodhur ajo që kanë paralajmëruar ditë më parë.
Krasniqi përmes rrjetit social në Facebook ka shkruar se barrikadat janë duke u kthyer në përditshmëri para syve të Qeverisë.
Ai po ashtu tha se vetëm pse qeveria po hesht dhe po e injoron si fakt, në pjesën veriore po krijohet një realitet i ri.
“Për kë bie kambana?
Në pjesën veriore të Kosovës po ndodhë pikërisht ajo që kemi paralajmëruar ditë më parë dhe, e cila, në asnjë mënyrë nuk guxon të ndodhë. Barrikadat po kthehen në përditshmëri para syve të Qeverisë. Vetëm pse Qeveria po heshtë dhe po e injoron si fakt, kjo nuk do të thotë se në pjesën veriore nuk po krijohet një realitet i ri. Për ata që kanë veshë për të dëgjuar, e sy për të parë, kambana po bie. Fuqishëm. Zëshëm”, tha ai.
Krasniqi gjithashtu u shpreh se vështrimi nga larg nuk është zgjidhje.
“Kompromiset e mëtutjeshme, edhe më pak. Ushtrimi i sovranitetit dhe i shtetit ligjor, si dhe funksionimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në tërë territorin e vendit kërkojnë veprim të menjëhershëm dhe konsistent institucional”, theksoi ai duke shtuar se “Barrikadat duhet të hiqen pa asnjë vonesë”.
Lideri i PDK-së, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës plotësimin e kushteve për Policinë e Kosovës që zbatojnë rendin dhe ligjin në pjesën veriore të Kosovës.
“Duke qëndruar me Policinë e Kosovës, kërkojmë urgjentisht nga Qeveria plotësimin e kushteve të tyre, që ata të zbatojnë rendin dhe ligjin në pjesën veriore të Kosovës. Koha është për rikthim të normalitetit dhe garantim të sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës në këtë pjesë të shtetit tonë.
Për atë çfarë mund të bëhet sot, nesër mund të jetë shumë vonë. Kosova nuk e ka këtë komoditet. Sovraniteti i shtetit tonë po cenohet. E ardhmja jonë po rrezikohet. Kërkohet reagim i menjëhershëm. Hiqni ato barrikada të turpshme dhe dëshmojuni qytetarëve se jeni pranë tyre. Mos e braktisni Kosovën”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi. /Telegrafi/