Liridon Krasniqi ka vazhduar me formën e mrekullueshme në futbollin aziatik.
Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës ka qenë titullar si gjithnjë për skuadrën e tij Kedah.
Në fakt sot është zhvilluar Superkupa e shtetit të Malajzisë, ku u takua kampioni në fuqi, Johor me fituesin e Kupës së shtetit, Kedah ku aktivizohet Liridon Krasniqi.
Ndeshja përfundoi në barazim 1-1 pas 90 minutave dhe u desh të luheshin penalltitë për ta vendosur fituesin.
Kedah shënoi fitore pas ekzekutimit të penalltive me rezultat 5-4, ndërsa golin vendimtar të fundit në këtë takim e shënoi Krasniqi.
Ky ishte trofeu i dytë në Malajzi për Krasniqin i cili ishte lojtari kryesor i skuadrës së tij edhe në fitim e Kupës së shtetit.
Pas kësaj forme të mrekullueshme që po kalon me skuadrën e tij, Krasniqi sigurisht se do të ftohet nga Përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjet e muajit mars.
Kujtojmë që Liridon tri vite më parë ishte ndër lojtarët e parë të grumbulluar nga përzgjedhësi Albert Bunjaku, ndërsa ai ka katër ndeshje me Kosovën.
Mungesën e Enis Alushi ndaj Islandës për shkak të kartonëve, mund ta zëvendësoj Krasniqi i cili është duke shkëlqyer çdo ditë e më shumë. /Telegrafi/