Site icon Telegrafi

Krasniqi takohet me Lajçakun: Për PDK-në e rëndësishme është që dialogu të ketë epilog

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka takuar sot përfaqësuesin special të BE-së për dialogun, Mirsolav Lajçak me ekipin e tij.

Pas përfundimit të këtij takimi, Krasniqi në një prononcim për media tha se është njoftuar nga Lajçak lidhur me e zhvillimet e fundit dhe gjithë procesin e dialogut deri më tash.

“Kishim një takim me z.Lajçak dhe ekipin e tij për të diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe dialogun. U njoftova për zhvillimet e fundit për takimet që kanë ndodhur deri tash, i shpreha qëndrimet e PDK-së në lidhje me këtë proces”, tha Krasniqi.

Kryetari i PDK-së, më tej shtoi se për PDK-në është e rëndësishme që dialogu të ketë epilog.

“Për ne është e rëndësishme që dialogu të ketë epilogun e vet dhe kërkesa jonë është që të përfundojë sa më shpejt që është e mundur dhe që përfundimi i tij të ketë njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, pa cenuar asnjë nga elementet dhe themelet e Kushtetutës të Republikës të Kosovës”, tha ai.

Krasniqi bëri të ditur se në takimin me Lajçakun kanë ngritur edhe çështjen e hapjes së arkivave.

“UÇK nuk ka pasur arkiva, ky është një fakt i ditur botërisht. Kushdo që thotë diçka tjetër, me apo pa qëllim, nuk e thotë të vërtetën dhe mund të jenë në favor të konspiracioneve të Serbisë ndaj Kosovës. Atë që ka thënë Lajçak, nuk do të duhej ta them unë. E ka bërë publike dje, por mund ta bëjë më vonë”, tha Krasniqi. /Telegrafi/

Exit mobile version