Site icon Telegrafi

Krasniqi: Në Klinikën Infektive, janë të spitalizuar vetëm 47 pacientë me COVID-19

Infektologu, Valbon Krasniqi ka bërë të ditur se në Klinikën Infektive të QKUK-së janë të hospitalizuar vetëm 47 pacientë me COVID-19, dhe se ky numër është më i vogël në dy javët e fundit.

Krasniqi ka pohuar se sot ka vizituar të gjithë pacientët, në mesin e tyre fëmijë, gra shtatzëna e të moshuar, transmeton Telegrafi.

“6 javë COVID-19 në Kosovë: Më shumë të shëruar – se sa të spitalizuar në Klinikë. Sot e 6 javë më parë filloi pandemia COVID-19 në Kosovë. U konfirmuan 669 persona COVID pozitiv. U spitalizuan 130 prej tyre. U shëruan 70 nga ta ( nga të spitalizuarit) Sonte ne Klinikë- vetëm 47 pacientë. Numri më i vogël në këto 2 javët e fundit.
Sapo i vizitova të gjithë, të 47 pacientët, në mesin e tyre fëmijë 5 vjeç, gra shtatzëna, por edhe të moshuar”, ka shkruar Krasniqi.

Më tej ai ka theksuar se janë duke punuar pa u lodhur për shërimin e pacientëve.

“Ne punojmë pa u lodhur për shërimin e tyre, por së bashku me punën tonë të ju ndihmoj edhe lutja juaj në këtë Muaj të madhërishëm të Ramazanit. Urime Besimtarëve Myslimanë Muaji i Ramazanit”, vijon shkrimi i tij.

Ndërkohë, institucionet shëndetësore kanë bërë thirrje vazhdimit që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, dhe të mbajnë higjienën personale./Telegrafi/ 

Exit mobile version