Telegrafi

Krasniqi: Situata me COVID-19 është më e qetë, por nuk duhet të lirohemi

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi në një intervistë për Telegrafin ka folur për situatën pandemike me COVID-19, në Kosovë. Krasniqi tha se aktualisht është një situatë më e qetë me COVID-19, mirëpo siç theksoi ai ende situata mbetet e rënduar pasi ende ka pacientë në klinikat e ShSKUK-së.

Ai tregoi se në Klinikat e ShSKUK-së janë mbi 300 pacientë të infektuar me coronavirus, ndërsa mbi 20 pacientë janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Kohët e fundit kemi një situatë më të qetë, në kuptim të asaj që kemi numër më të vogël të infektuarve dhe të hospitalizuarëve në klinikat tona. Ende situata mbetet e rënduar pasi ende kemi pacient në klinikat tona. Kemi mbi 300 pacientë që janë duke i marr shërbimet. Nga ta kemi mbi 20 në gjendje të rënduar dhe kritike”, ka thënë ai.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi

Krasniqi theksoi se edhe pse është një trend i uljes së të infektuarve, ai tha se qytetarët nuk guxojnë të lirohen dhe të relaksohen, por të zbatojnë masat parandaluese të rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Tutje ai u shpreh se ecuria e virusit COVID-19 ka qenë e paparashikueshme edhe në nivel global, dhe sipas tij rrezikshmëria e përhapjes së virusit në masë ende ekziston.

Statistikat e infektimit me coronavirus ditëve të fundit në disa vende evropiane siç tha Krasniqi, nuk janë dhe aq të mira.

“Ecuria e këtij virusi ka qenë e paparashikueshme edhe në nivel global. Ne duhet të jemi përgatitur për çdo situatë. Statistikat e kohëve të fundit në vendet evropiane nuk janë dhe aq të mira, dhe ne si institucion shëndetësor duhet të përballojmë çfarëdo situate që na paraqitet. Nëse ne e bartim maskën, kemi kujdes nga higjiena dhe evitojnë çdo tubim dhe ruajmë distancën fizike atëherë mundësi e infeksionit zvogëlohet në masë të dukshme”, ka thënë ndër të tjera  ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, Krasniqi. /Telegrafi/