Site icon Telegrafi

Krasniqi: Sikurse në Srebrenicë edhe në Kosovë pati gjenocid nga Serbia

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka kujtuar masakrën e Srebrenicës.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se kriminelët serb, të udhëhequr nga kasapi Ratko Mladiq, nuk kishin kursyer as fëmijët e gratë.

“I njëjti mentalitet sistematik, i orkestruar e gjakatar serb, i ngritur mbi vdekjet e përndjekjet, me karakter të pastër gjenocidal e duke mos kursyer askënd, u realizua edhe në Kosovë më 1998-99”, ka shkruar Krasniqi.

Postimi i plotë:

Sot, bota shënon 27 vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, ku mbi 8 mijë djem, burra e pleq u ekzekutuan në harkun e pesë ditëve, në aktin më të tmerrshëm të gjenocidit që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në këtë projeksion tragjik, të planifikuar e çnjerëzor, shumë nëna u lanë pa fëmijë, motra pa vëllezër, vajza pa baballarë – e një regjion i tërë pa burra.
Kriminelët serb, të udhëhequr nga kasapi Ratko Mladiç, nuk kishin kursyer as fëmijët e gratë.

Vajza e familjes Muhiç, e lindur më 13 korrik 1995 dhe Saha Izmirliç, e lindur më 1901, janë viktimat më të reja, respektivisht më të vjetra, të gjetura në varrezën masive të Potoçarit.

I njëjti mentalitet sistematik, i orkestruar e gjakatar serb, i ngritur mbi vdekjet e përndjekjet, me karakter të pastër gjenocidal e duke mos kursyer askënd, u realizua edhe në Kosovë më 1998-99.

Fatkeqësisht, qindra kriminelë serbë që sollën shumë vdekje e shumë dhimbje në Ballkan, vazhdojnë të enden të lirë, pa marrë asnjëherë dënimin e merituar.
Asnjëherë nuk do të harrojmë – asnjëherë të mos përsëritet! #Srebrenica. /Telegrafi/

Exit mobile version