Dëshmitari Naser Krasniqi deklaroi të mërkurën se Rexhep Selimi kishte rolin e inspektorit gjeneral të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Këtë deklarim, dëshmitari Krasniqi e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Christoph Barthe.
“Sipas asaj që dija unë dhe të tjerët në Brigadën 121, roli i zotit Selimi ishte inspektor gjeneral i UÇK-së”, tha dëshmitari.
Veç kësaj, Naser Krasniqi tha se brenda UÇK-së ka mundur që të ketë edhe veprime kundërshtuese, por që ai vetë është udhëhequr me parime morale dhe njerëzore.
“Kjo nuk do të thotë që brenda UÇK-së nuk kishte edhe veprime kundërshtuese ose individë që mund të kenë kundërshtuar, por tani nuk mund të jem specifik me raste. Çështja e zbatimit të vendimeve ose urdhrave e thash edhe më herët që lidhet me çështjen e ndërgjegjshmërisë dhe përgjegjshmërisë, dhe besimit në UÇK, dhe besimit në Shtabin e Përgjithshëm. Mua më shumë më kanë udhëhequr parimet morale e njerëzore sepse në atë periudhë e kam thënë se nuk kam qenë njohës i ligjit dhe nuk kam pasur asnjë lloj eksperience me natyrën e punëve të tilla”, tha dëshmitari.
Një pjesë e dëshmisë së dëshmitarit kaloi në përmbajtje të redaktuar për publikun, derisa gjyqtari Barthe po bënte pyetje.
Kurse, në pyetjet e gjyqtarit Guénawl Mettraux, dëshmitari tha se Jashar Salihu është tanimë i ndjerë, por që e ka njohur si figurë të rëndësishëm të Lëvizjes Popullore (LPK) në Zvicër. Ai shtoi se nuk e ka njohur nga afër por vetëm si figurë.
Po ashtu, dëshmitari tha se Jashar Salihu ka qenë edhe kryetar i fondit “Vendlindja thërret” që kishte për qëllim financimin e luftës çlirimtare.
“Nuk e di, nuk jam i sigurt”, u përgjigj dëshmitari, kur u pyet se a ka ushtruar ndonjë funksion tjetër Jashar Salihu brenda UÇK-së.
Përpara trupit gjykues, pyetje për dëshmitarin parashtroi edhe mbrojtja e Jakup Krasniqit e përfaqësuar nga avokatja Venkateswari Alagendra. Ndërsa, mbrojtja e Thaçit nuk pati pyetje.
Gjithashtu, nga deklaratat e dëshmitarit për mbrojtjen, prokurorja Vega Iodice tha se i duhen disa sqarime, andaj i bëri disa pyetje shtesë për dëshmitarin.
Dëshmitari Naser Krasniqi deklaroi para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) se nuk e ka parë asnjëherë Kadri Veselin që ta dërgojë dikë në objektin e ndalimit në Kleçkë.
“Është e vërtetë se asnjëherë nuk e kam parë duke e dërguar dikë në atë qendër”, tha Veseli.
Dëshmitari tha se ka qëndruar përreth zonës së Kleçkës deri në përfundim të luftës, përkatësisht deri në fillim të qershorit 1999.
Me arsyen që informacionet konfidenciale mund të nxirren nga dëshmitari në pyetjet e radhës, avokati i Veselit, Rodney Dixon kërkoi seancë privat. Kjo kërkesë e mbrojtjes, u aprovua nga trupi gjykues. /Betimi për Drejtësi/