Telegrafi

Krasniqi i reagon Kusari-Lilës: Po bën përpjekje për ta dëshmuar veten para Albin Kurtit

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka shpifur kundër tij kur e ka akuzuar për ofendim të saj dhe kolegeve të saj gjatë seancës së sotme parlamentare.

Krasniqi ka shkruar në profilin e tij në Facebook se Kusari-Lila, të cilën e ka quajtur “zëdhënëse të përjetshme të pushtetit”, se e ka bërë këtë për ta hequr vëmendjen nga tentimi i GP të Vetëvendosjes që ta heshtë dhunshëm opozitën në Kuvend.

“Siç ndodh rëndom, të ligët kur s’kanë argumente, shpifin. Përveç nëse Mimoza ofendohet nga fjala “analfabet”. Nëse po, atëherë vërtet e paskam “ofenduar” ministren Shëartz. Sepse, ajo është absolutisht analfabete funksionale në lëmin e diplomacisë, gjë që po e shpërfaq çdo ditë në mënyrën më të turpshme, duke e goditur çdo vlerë të popullit e të shtetit tonë, sikur të ishte ministre e Serbisë, e jo e Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Ai, po ashtu, ka thënë se Kusari-Lila është mish i huaj në LVV dhe po bën përpjekje titanike që të dëshmojë lojalitet e militantizëm.

Lexo po ashtu Kusari: Deputetët e PDK-së e fyen dhe shanë Gërvallën, ministri Peci u ngrit t’i dalë në mbrojtje

Postimi i plotë:

Mimoza Kusari-Lila, kjo zëdhënëse e përjetshme e pushtetit, duke u munduar qe ta heqë vëmendjen prej tentimit të sotëm të grupit të saj për ta heshtur dhunshëm opozitën në Kuvend, e besa edhe për të na sulmuar fizikisht, paska shpifur kundër meje, se kinse e paskam ofenduar atë dhe koleget e saj. Siç ndodh rëndom, të ligët kur s’kanë argumente, shpifin. Përveç nëse Mimoza ofendohet nga fjala “analfabet”. Nëse po, atëherë vërtet e paskam “ofenduar” ministren Shëartz. Sepse, ajo është absolutisht analfabete funksionale në lëmin e diplomacisë, gjë që po e shpërfaq çdo ditë në mënyrën më të turpshme, duke e goditur çdo vlerë të popullit e të shtetit tonë, sikur të ishte ministre e Serbisë, e jo e Kosovës.

Ndërsa, Mimozën, edhe pse më dhimbset pak, deri diku e kuptoj. Në LVV ajo është mish i huaj dhe po bën përpjekje titanike që të dëshmojë lojalitet e militantizëm, ani pse ende nuk ia kanë besuar as pozitën e Shefes së Grupit Parlamentar, duke e mbajtur vetëm si “ushtruese të detyrës” tash e gati dy muaj. Andaj, le ta ushtrojë këtë detyrë derisa ta kalojë provimin tek Albin Kurti, por mirë bën që të provojë ta ruajë dinjitetin e saj gjatë kësaj rruge. /Telegrafi/