Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i ka reaguar kryeministri Albin Kurti, i cili në seancën e sotme të Kuvendit tha se nga opozita “greva po përdoret si armë kundër kryeministrit”.
Në replikën e tij, Krasniqi tha se Kurti mendon se të gjithë janë kundër tij, por në realitet njerëzit kanë shumë halle.
“Kryeministri ishte këtu dhe tha se të gjithë kanë problem me të. Është e pakuptimtë se si e përmendi 14 shkurtin. Si është e mundur që qytetarët me ia dhënë mbi 50 për qind të votave më 14 shkurt e qysh u bonën ata persona me ta pasë inat tani?”.
“Problemi është që nuk janë të gjithë duke u marrë me Albin Kurti, por ai duhet të merret me të gjithë sepse e ka përgjegjësi. Është kryeministër i vendit. Ai mendon se të gjithë kanë probleme me të. Por, në realitet njerëzit i kanë telashet e veta”, u shpreh i pari i PDK-së, raporton Telegrafi.
Sa i përket grevës së punëtorëve të sektorit publik, Krasniqi tha se i gjithë shteti është në rrezik për t’u bllokuar.
“Ne po flasim për grevën në arsim, po në grevë janë edhe shërbyesit civilë edhe administrata në universitet. Shërbimet janë të cenuara ashtu siç është i cenuar procesi mësimor. Problemi është i madh. Sot e pamë që kishte grevë edhe në Ministrinë e Jashtme. Disa greva të tjera janë paralajmëruar se do të mbahen. Krejt shteti është në rrezik për t’u bllokuar”.
“I kemi mbi 300 mijë nxënës që janë jashtë bankave shkollore për shkak të kokëfortësisë së Qeverisë dhe sindikatave po ashtu. Na kanë futur në sendwich. Qeveria dhe sindikatat na kanë futur në sendwich të gjithëve. Por, mësimdhënësit janë humbës. Gjendja për ta është shumë e rëndë”, deklaroi ai.
Krasniqi ndër të tjera shprehu konsideratë për deputeten e deritashme të Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Vasfije Krasniqi, e cila një ditë më parë njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i saj për arsye shëndetësore. /Telegrafi/