Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka quajtur dështim të Qeverisë shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat në veri.
Sipas tij, me vendimin e sotëm ekzekutivi është dorëzuar para bandave kriminale në pjesën veriore, e kjo ka thënë se e dobëson shtetin.
Tutje, Krasniqi ka deklaruar se përderisa për shpalljen e zgjedhjeve Presidentja Vjosa Osmani ka përmbushur një obligim kushtetues, për shtyrjen e tyre ajo nuk ka një mandat të tillë.
“Konsensusi i kërkuar nga partitë politike sot nuk është obligim ligjor. Tentimi i Presidentes dhe Kryeministrit për t’u fshehur prapa këtij konsensusi është një tjetër dëshmi e paaftësisë së tyre për t’i zbatuar obligimet kushtetuese dhe për të garantuar kushte e siguri për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.
“Të vetëm, si PDK, pavarësisht qëndrimit tonë konsistent, ne nuk mund të imponojmë mbajtjen e zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës, sepse instrumentet e nevojshme dhe përgjegjësinë shtetërore për këtë e ka Qeveria dhe institucionet e tjera përgjegjëse. Por, kjo Qeveri sot e pranoi se nuk është e aftë që të garantojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të cilin e shkaktoi dhe e kërkoi edhe vet. Ky dorëzim i Qeverisë para bandave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës e dobëson shtetin, e vështirëson edhe më tej gjendjen atje dhe e sfidon tutje rendin kushtetues”.
Krasniqi ka shtuar se instalimi i barrikadave në veri, në kohën kur po merrej vendimi për mosmbajtjen e zgjedhjeve, është dëshmi se “kjo tërheqje e Qeverisë nga zbatimi i ligjit dhe kushtetutës e rrezikon edhe më shumë ushtrimin e sovranitetit të plotë në katër komunat e veriut”.
Ndaj, i pari i PDK-së ka kërkuar nga Qeveria të jap përgjegjësi për sic ka thënë, këtë prapakthim dhe për dëmin që tashmë ia ka shkaktuar vendit më veprimet e veta të pamenduara.
“Nëse kthehemi vetëm pak ditë prapa, kujtojmë se ishte pikërisht Kryeministri Kurti që nisi një zinxhir të veprimeve të pamatura dhe në kundërshtim me interesat e vendit dhe këshillat e aleatëve tanë kryesorë, SHBA-ve, të cilat si përfundim krijuan krizë institucionale e shtetërore atje. Ajo krizë, e cila vazhdoi të keqmenaxhohet, solli edhe zgjedhjet – për mbajtjen e të cilave Kryeministri dhe Qeveria tani u zmbrapsën”.
“Në këtë situatë sfiduese, PDK kërkon nga të gjitha institucionet relevante shtetërore që të rrisin vëmendjen dhe angazhimet e tyre në lidhje me pjesën veriore të Kosovës, për të rikthyer normalitetin dhe për të garantuar sovranitetin në çdo cep të shtetit tonë”, ka përfunduar Krasniqi. /Telegrafi