Legjislatura e fundit që nuk pati më shumë se dy vjet jetë u cilësua nga shumë analistë, por edhe vet deputetë, si shumë e dobët dhe pak efektive. Në një intervistë për KP, Jeta Krasniqi nga KDI, bëri edhe një vlerësim të punës së Kuvendit të kaluar.
Si udhëheqëse e projektit për fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, Krasniqi tha se polarizimi politik i cili ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit është reflektuar edhe në punën e legjislaturës së kaluar.
Mungesa e kuorumit që ishte pasojë e një koalicioni të brishtë me Listën Serbe që në vijimësi ka bojkotuar edhe punimet e Qeverisë, por edhe të Kuvendit, si dhe partitë opozitare që bojkotonin punimet, për Krasniqin ka ndikuar edhe në punën e rregullt të Kuvendit.
Si një gjë negative, ajo përmendi edhe seancat me shumë pika të rendit të ditës të cilat barteshin edhe me 3-4 muaj përpara duke bërë që seancat të mos mbylleshin në tërësi.
“Kemi parë në fakt që Lista Serbe e cila ka qenë pjesë e koalicionit qeverisës në mënyrë të vazhdueshme ka bojkotuar punimet e qeverisë, pjesëmarrjen e saj në qeveri dhe kjo ka reflektuar edhe në Kuvendin e Kosovës. Nga ana tjetër kemi parë si dy partitë më të mëdha opozitare LDK dhe Vetëvendosje, kanë shtyrë përpara tezat e tyre ku kanë kërkuar legjitimim të legjislaturës dhe të qeverisë dhe në mënyrë të vazhdueshme kanë bojkotuar kohë pas kohe vet punimet e Kuvendit”, u shpreh Krasniqi.
Po ashtu, Krasniqi tha se legjislatura e fundit do të mbahet mend edhe për mungesën e mbikëqyrjes së ligjeve, një gjë që për të duhet të ndryshojë në legjislaturën e re që do të dalë pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
Sipas saj, ka pasur disa tentativa për mbikëqyrjen e ligjeve por ato nuk kanë arritur të materializohen dhe pastaj del që Kosova vetëm ka ligje të mira në letër, por që problem mbetet tek zbatimi i tyre.
Ajo ka kërkuar më tepër llogaridhënie nga ana e Qeverisë ndaj Kuvendit dhe duke kujtuar mungesën e kabinetit qeveritar në seanca plenare, ka thënë se kjo nuk duhet të ndodhë në të ardhmen.
Përkundër gjërave negative që vuri në pah Krasniqi për punën e legjislaturës së kaluar, ajo përmendi edhe një anë pozitive e që është konsensusi për votimin e pakove që kishin të bënin rreth integrimeve evropiane.
Duke përmendur votimin e fondeve IPA në seancën e fundit kur u shpërnda edhe Kuvendi, Krasniqi u shpreh se kjo legjislaturë përcolli një mesazh pozitiv kur arriti konsensus rreth çështjeve që kishin të bënin me integrimin evropian të vendit. /Telegrafi/