Telegrafi

Krasniqi: Po u ratifikua demarkacioni, situata do të tensionohet

Frashër Krasniqi, Sekretari për Media dhe Komunikim i Lëvizjes Vetëvendosje, e ka rikonfikruar qëndrimin e subjektit partiak të cilit i takon, duke thënë se po u ratifikua Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, situata në Kosovë mund të eskalojë.

Ai në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, është shprehur se arsye për eskalimin e situatës është fakti që Qeveria po këmbëngulë që t’ia falë Malit të Zi mbi 8000 hektarë tokë.

“Qeveria duhet ta kuptojë që Kosova nuk ka tokë për të falur. Situata do të tensionohet pasi nuk ka kuptim t’i japim 8 mijë hektarë tokë dhe njerëzit të qëndrojnë në qetësi”.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka ndërmarrë aksione të dhunshme për shkak se peticioni që u organizua nga Opozita e bashkuar, me AAK-në dhe NISMA-n, nuk u shqyrtua asnjëherë nga Qeveria.

“Peticioni nuk është shqyrtuar asnjëherë dhe kur janë dhënë faktet. Ata kanë thënë që ne po dëshirojmë me e marrë pushtetin. kanë qenë symbyllur ndaj të gjitha argumenteve dhe tash po ankohen për eskalim”, tha ai.

Krasniqi u shpreh se ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo që e pengoi ratifikimin e kësaj marrëveshjeje tash e një vit.

“Synimi i Qeverisë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ka qenë që kjo marrëveshje të ratifikohet menjëherë, por aktiviteti ynë e ka pamundësuar ratifikimin dhe është bërë shumë mirë që Vetëvendosje e ka shtyrë këtë deri më 1 shtator”.

“Qeveria e di se kjo Marrëveshje është e dëmshme për Kosovën, por po duan ta kalojnë për shkak të interesave personale”.