Telegrafi

Krasniqi: Po të varej nga Kurti, nënshkrimi i marrëveshjes do të ishte çështje ditësh

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se pas një procesi rreth dy vjeçar në dialog, në mbrëmjen e së hënës u kurorëzuan ato negociata me marrëveshjen e bazuar në propozimin evropian.

“Kjo marrëveshje u pranua me vullnet dhe entuziazëm të plotë nga kryeministri Kurti, dhe duket që nëse dot ë varej prej tij është çështje ditësh edhe nënshkrimi i saj. Çështjet që kjo marrëveshje i përmban hyjnë në kuadrin e çështjeve nga neni 18 paragrafi 1 i kushtetutës ku kërkohet ratifikimi nga ana e Kuvendit me 2/3 e votave”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se lënda e marrëveshjes së nënshkruar trajton çështje tipike politike dhe njëkohësisht ka për qëllim të vendos kinse paqe mes dy vendeve.

“Mjafton përtej kësaj të analizohet teksti i këtij dokumenti. Këtu nuk duhet të drejtohemi nga qëndrimet dallimet partiake politike, por nga interesi i Kosovës se çfarë mund të përfitoi e besa edhe të pësoj”, u shpreh Krasniqi.

Lexo po ashtu Kurti tregon se çka përfiton Kosova nga marrëveshja bazë me Serbinë: Vetëm neni 10 është problematik

Tutje, ai ka thënë se nëse lexohet teksti i këtij dokumenti shihet se Kurti është pajtuar që të kapërcej trashëgimin e së kaluarës.

“Mjafton të analizohet teksti i këtij dokumenti, nëse analizohet preambula e kësaj marrëveshje, me të cilën Kurti është pajtuar që të kapërcejë të kaluarën e që është shumë e dhimbshme, i bije që ne po e kapërcejmë pa e trajtuar siç kemi kërkuar disa nga këto aspekte. Adresimin e përgjegjësive për krimet e luftës, dëmshpërblimet e luftës, dëmet materiale, kthimin e të mirave materiale të pensioneve të qytetarëve dhe po ashtu të pronës së uzurpuara të tyre…

Unë se kuptoj si mund të ketë pajtueshmëri për të kaluar trashëgiminë e së kaluarës pa i zgjedhur këto çështje fondamentale. E rëndë është edhe fjalia e tretë, ku nga njëra anë përmendet historia, në anën tjetër, palët pajtohen. Statusi i Kosovës është për ne i rëndësishëm”, ka thënë ndër të tjera Krasniqi.

Ai ka thënë se neni 7 është shumë problematik, duke konsideruar se është më problematik se Asociacioni.

“Neni 7 nuk flet për kompetenca të vetëqeverisjes lokale kryeministri tha se flet për instrumentet e këshillit të Evropës, me qëllim harroi të thotë cila është fjalia pasuese, ‘bazuar në praktikat e mëhershme’. Ne i dimë praktikat e mëhershme. Nuk po të akuzoj që je duke bërë tradhti kryeministër, veç po them marrëveshja është e keqe. Neni 7 është më problematik se që po thua. Neni 11 është pikëpyetje e madhe, të shohim çfarë do të bëni për planin”, ka thënë ai. /Telegrafi/