Telegrafi

Krasniqi: I papranueshëm votimi për referendum të Serbisë në Kosovë, ka dallim esencial me zgjedhjet

Mbajtja e referendumit për ndryshimet kushtetuese të Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës po konsiderohet shkelje flagrante e sovranitetit të vendit nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë për Telegrafin ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj “është i papranueshëm lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e një shteti fqinj”.

Ai ka thënë se një gjë e tillë është antikushtetuese.

Sipas Krasniqit, “Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme.

“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshëm lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e një shteti fqinj. Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme, në pajtim me obligimet tona si shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë Krasniqi për Telegrafin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar shkurt pas takimit me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-i dhe atë të Bashkimit Evropian, duke paralajmëruar për të shtunën një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Lexo po ashtu Kurti paralajmëron seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për të shtunën, nuk jep detaje për takimin me ambasadorët e QUINT-it

Kurti nuk dha asnjë informatë rreth takimit me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

“Në takim ishim të pranishëm presidentja Osmani, kryeparlamentari Konjufca, unë, si kryeministër si dhe dy zëvendëskryeministrat Bislimi dhe Gërvalla. Pas këtij takimi Presidenca, Qeveria dhe Kryeparlamentari do të dalim me një deklaratë të përbashkët për shtyp dhe pas kësaj do të mund t’ju përgjigjem pyetjeve tuaja.

Po shkoj në kryeministri për të përgatitur thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës për nesër në ora 14:00”, tha Kurti para gazetarëve. /Telegrafi/