Telegrafi

U mor në mbrojtje nga policia, Krasniqi: Nuk jam ndjerë asnjëherë i kërcënuar edhe kur kanë rrjedh informacione për vrasje

Policia e Kosovës të hënën ka marrë vendim që t’u ofrojë mbrojtje të afërt policore kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe politikanëve tjerë të subjekteve politike parlamentare.

E në lidhje me këtë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se asnjëherë nuk është ndjerë i kërcënuar edhe kur kanë rrjedh informacione për vrasje.

Krasniqi këto komente i bëri pas takimit që zhvilloi me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

I pari i PDK-së, tha se ky vendim rrjedh nga një vlerësim i organeve të sigurisë që lidhet me situatën e tensionuar në veri.

Lexo po ashtu "Kërcënimet nga grupe terroriste serbe": Policia merr në mbrojtje Krasniqin, Abdixhikun e politikanë të tjerë

“Nuk jam ndjerë asnjëherë i kërcënuar edhe kur na ka rrjedh informacion për kërcënime me vrasje edhe para pak muajsh. Por, ka qenë vlerësim i organeve të sigurisë që të na ofrojnë mbrojtjen e afërt, për arsye besoj që ata duhet të tregojnë, besoj që lidhet me situatën e tensionuar dhe të përkeqësuar pas sulmeve në veri të vendit”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, Telegrafi merr vesh se drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, e ka njoftuar opozitën se mund të jenë cak i sulmeve të caktuara, transmeton Telegrafi.

Andaj për këtë, është rekomanduar mbrojtja e afërt.

Lexo po ashtu Kërcënimet ndaj kreut të LDK-së, deklarohet Haziri

“Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe politikanë tjerë shqiptarë në këtë kohë të brishtë sigurie, sidomos pas sulmit terrorist në Banjskë, kanë qenë target i grupeve të dyshuara terroriste nga Serbia, andaj Policia ka vendosur të shtoj mbrojtjen e afërt”, thotë burimi.

Javë më parë Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kishin vlerësuar se rreziku potencial për sulme apo aktivitete të tjera kundër rendit ligjor e kushtetuese ekziston ende. /Telegrafi/