Site icon Telegrafi

Krasniqi: Nuk është koha për kundërshtime ndaj Speciales por t’i pritni rrufetë e Zeusit

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka kritikuar ata të cilët vetë e nisën formimin e Gjykatës Speciale, e që tash po duan ta zhbëjnë atë.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka kujtuar vitin 2014 kur po bisedohej për formimin e Speciales, duke thënë se askush nuk e kundërshtoi Specialen atëherë kur ishte koha.

“Nuk është koha për kundërshtime ndaj Gjykatës Speciale. Tani koha është për t’i pritur rrufet e Zeusit, sado përvëluese qofshin ato!”, shkruan ndër të tjera Krasniqi, përcjell Telegrafi.

Postimi i Krasniqit në Facebook:

PËRGJEGJËSI KU JE?

Kushdo që me vëmendje ka përcjell zhvillimet politike në Kosovë, nga Nata e Madhe (dhjetë ditëshi i fundit i vitit të vjetër), që deshi ta zhbëjë Gjykatën Speciale ( të krijuar bash nga ata që deshën ta zhbëjnë), e ka më shumë se të qartë se Kosovës i është bërë një dem goxha i madh, mbase edhe i pa riparueshëm.

Një gjë duhet ta dimë të gjithë e veçmas ata që e përgatiten ketë gjellë të ligë, se kjo çështje nuk mund të kalohet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nëse ata nuk e dinë ose nuk donë që ta dinë, atëherë në ketë vend duhet të krijohet një masë kritike, e cila masë nuk do të duhej të lejonte që askush më, të mos guxonte të luaj me fatin e këtij vendi e të këtij populli. Madje kushdo qofshin ata, qofshin dhe të parët e shtetit.

Bash ata që e krijuan ketë katrahurë politike, e kanë përgjegjësinë politike për krijimin e GJS, të cilën tinëzisht deshën ta zhbëjnë atë për të cilën kontribuuan shumë që të formohej. Po atyre po ua përkujtoj: kur në vitin 2014 po bisedonim për formimin e GJS në Ambasadën e SHBA-së e më pas në selinë e BE-së (në Prishtinë), e ku merrnin pjesë përfaqësuesit e partive politike parlamentare veç LVV-së, askush veç meje nuk e pat kundërshtuar themelimin e GJS. E në ato takime ishin: nga PDK, Hashim Thaçi e Hajredin Kuçi, nga LDK, Isa Mustafa e Ismet Beqiri, nga AAK, Ramush Haradinaj e Blerim Shala. Atëherë edhe ishte koha edhe për të kundërshtuar GJS e cila ishte dhe është padrejtësi e madhe. Por, kjo duhej të bëhej me kohë. Tani nuk është koha për një kundërshtim të kësaj natyre, sa tinëzar e po aq qyqar. Ju atëherë heshtet ose e miratuat në heshtje, tani nuk ka më kohë për kundërshti. Tani koha është për t’i pritur rrufet e Zeusit, sado përvëluese qofshin ato! Atëherë kërkonit të pastrohej UCK-ja, e cila ishte dhe është e pastër. Tani le të pastrohen edhe individët cilitdo qofshin ata, qofshin edhe ju të paret e shtetit.

Koha është që të ecim tutje edhe me ketë padrejtësi. Kushdo që duhet të pastrohet le të pastrohet në dhomat e specializuara të drejtësisë në Hagë! Koha po kërkon përgjegjësi politike, por, përgjegjësi politike siç po shihet ka vetëm aty ku ka kulturë politike e moral, por në rastin tonë mund të themi vetëm: Përgjegjësi e Moral ku je? Ku jeni strukur? Në cilën birë miu jeni futur?!

Një gjë duhet ta keni të qartë ju gjellëbërësit e kësaj gjelle të ligë, Shteti kështu nuk udhëhiqet! Sa më shpejtë që t’i lironi institucionet e shtetit, aq më mirë do të jetë për vendin e kombin!

Le të shpresojmë që Drejtësia është e standardeve euroatlantike! Dëmi tani më, Republikës sonë veç i është bërë nga udhëheqjet e këqija!

 

 

Exit mobile version