Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi i ka thënë se nëse kosovarëve nuk u lejohet lëvizja e lirë në zonën Schengen, me këtë veprim Bashkimi Evropian (BE) po ia kthen shpinën Kosovës.
Tërheqjen e zotimeve të zyrtarëve të BE-së lidhur me liberalizimin e vizave, Krasniqi e quan skepticizëm të shteteve anëtare.
“Mendoj që është sinjal shumë dekurajues, është komplet i padrejtë dhe nëse një gjë e tillë vërtet do të ndodhë atëherë do të jetë me të vërtet një kthim i shpinës Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Me vite na kanë thënë që nuk është vendim politik, por që është çështje teknike, janë pikërisht qëndrimet politike që dëshirojnë ta mbajë Kosovën të përjashtuar nga një e drejt fondamentale”, ka thënë Krasniqi për Ekonomia Online
Ndonëse shprehet optimistë se liberalizimi mund të ndodh, Krasniqi thotë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e caktuar, madje pati më shumë kritere se të gjitha vendet e rajonit.
“Pavarësisht që Kosova është shteti më pro-evropian dhe qytetarët më pro-evropian, unë mendoj që sinjalet e tilla refuzuese nga Bashkimi Evropian do ta kenë ndikimin e vet politike edhe brenda vendit tonë, por padyshim që do të ndikojnë edhe tek procesi integrues, por edhe tek dialogu edhe çdo gjë tjetër”, tha ai.
“Unë ende jam optimist i kujdesshëm në kuptimin që shpresoj që Austria do ta marr përgjegjësin që e ka si udhëheqëse e presidencës së BE-së që ta fus në rend të ditës çështjen e vendimit sepse ne nuk jemi fajtor për mosmarrëveshjet që shtetet e BE-së i kanë mes veti edhe për problemet e politikave të tyre të brendshme. Ne kërkojmë të drejtën tonë. Me vite na kanë thënë duhet mi kryer këto punë. Krejt punët i kemi kryer, sot do të ishte përtej standardit të dyfishtë nëse ata tërhiqen nga krejt ato zotime që i kanë dhënë me vite”.
Ai duke folur për aktualitetin politik ka thënë se opozitës i mungon vendosmëria, për ngritje të mocionit të mosbesimit dhe se sipas tij, thirrjet për zgjedhje po bëhen vetëm për konsum politik.
“Krejt ajo çka ata e deklarojnë për zhvillimet është se nuk është rendi zgjedhjeve, askush në Kosovë nuk dëshiron zgjedhje… Kushdo që thotë që do zgjedhje ose është i interesuar për to, është i pasinqertë dhe e thotë për konsum politik ditor. Sidoqoftë çdo parti serioze duhet të jetë gjithmonë e gatshme për zgjedhje, por PDK-ja mendon se nuk duhet dhe nuk ka nevojë për zgjedhje”.
Krasniqi ka thënë se janë në fazën e hershme të zgjedhjeve të brendshme të partisë, duke shtuar se do të ketë rifuqizim dhe ridinamizim të punës së PDK-së në të gjitha nivelet.