Telegrafi

Krasniqi: Muhaxheri ka dy vite që ka qenë vetëm anëtar i Grupit Punues në Pejë

Lëvizja Vetëvendosje dega në Pejë sot ka mbetur pa sekretarin organizativ njëherësh edhe anëtarin e Grupit Punues, Arton Muhaxherin.

Muhaxheri përmes një postimi në Facebook ka thënë se që nga 1 prilli nuk është më pjesë e VV-së, dhe se tani ai do t’i bashkohet PDK-së.

E lidhur me këtë largim të tij ka reaguar zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi i cili ka thënë se është i pavërtetë lajmi se në degën e VV-së në Pejë është larguar sekretari organizativ.

Krasniqi ka theksuar se Arton Muhaxheri ka qenë sekretar gjatë periudhës 2010-2014.

Postimi i plotë i Krasniqit në Facebook:

Lajmi që VETËVENDOSJE!-s në Pejë i është larguar Sekretari Organizativ, është i pavërtetë. Arton Muhaxheri ka qenë sekretar në Qendrën e Pejës gjatë periudhës 2010 – 2014. Pas kësaj periudhe, deri sot, ai ka qenë vetëm njëri nga 32 anëtarët e Grupit Punues të Qendrës tonë në Pejë.
Në anën tjetër, kalimi i tij në subjektin kryesor përgjegjës për kapjen dhe rrënimin e shtetit, ekonomisë dhe shoqërisë, flet për mungesë parimesh në këtë kalim. Nuk ka asgjë të vërtetë në deklaratat e tij.
Është thjeshtë e pa vërtetë, absurde dhe qëllim keqe ta akuzosh VETËVENDOSJE!-n për “shtet-rrënim”, “mungesë demokracie”, etj. dhe njëkohësisht të përpiqesh të na bindësh që PDK-ja qenka subjekt demokratik, shtet-ndërtues, etj.